Astrit Patozi, ish-koordinatori i Bindjes Demokratike, me anë të një postimi në Facebook ironizoi deputetin demokrat, Ervin Salianji, duke u shprehur se e kupton tani Bashën për vendimin e përjashtimit të Sali Berishës.
“Deri dje më dukej pak i çuditshëm guximi i Lul Bashës për të përjashtuar Sali Berishën, megjithë presionin e fortë amerikan për ta vrarë më në fund “babain” e vet politik, si kushtin e vetëm që të shpëtonte lëkurën e vet. Por, sot jam i qartë se nuk ka pasur rrugë tjetër, ngaqë nuk dija këtë kërcënimin e tmerrshëm të Salianjit, që mund të jepte dorëheqjen në rast se Basha nuk do t’i bindej Uashingtonit. Sepse ai nuk të fal në këto raste, madje edhe kur brohoriti para dy vjetësh në krah të Lulit për djegien e mandateve, pikërisht këtë gjë kishte parasysh, besnikërinë e panegociueshme ndaj Shteteve të Bashkuara”, shkruan Patozi në rrjetin social.
“Tani që e mora vesh, nuk kam më asnjë dilemë se Luli nuk ka pasur nga t’ia mbajë dhe ka marrë vendimin e duhur. Se çdo gjë mund të justifikohet sot për Partinë Demokratike dhe për opozitën, por dorëzimi i mandatit të deputetit nga Salianji do të ishte i papërballueshëm”, shtoi Patozi.
Patozi vijon më tej ironinë, duke theksuar se “para këtij fakti besoj që edhe vetë Sali Berisha mund të ndryshojë qëndrim dhe mund ta stopojë lëvizjen e vet kundër Bashës”.