Politika Patozi ironizon Majkon: Me kriterin tënd, Dokle do e kishte vrarë 10...

Patozi ironizon Majkon: Me kriterin tënd, Dokle do e kishte vrarë 10 herë vajzën

Deputeti i PD-së Astrit Patozi ka ironizuar socialistin Pandeli Majko për foton e të birit me dy gishta lart.

“Protesta jonë mund ta ndihmojë edhe Pandeli Majkon ta marrë më me sportivitet, jo vetëm shakanë, por edhe zgjedhjen kundër bindjeve të tij politike të të birit, në rast se kjo do të ndodhte një ditë”, shkruan Patozi në Facebook, teksa gjithashtu përmend këtu rastin e socialistit tjetër Namik Dokle, vajza e të cilit Anika Dokle është shprehur shumë herë kritike kundër Qeverisë në rrjetet sociale.

STATUSI I PATOZIT

EDHE “RILINDJA” NUK MENDON NJESOJ PER ZGJEDHJET

Po të kishte ndjekur kriterin e Pandit, që i kërkoi “Rilindjes” ndjesë për të birin, Namik Dokle duhet ta kishte vrarë nja 10 herë deri tani vajzën (Anika Dokle), dhe prapë të mos ishte shlyer tamam me partinë e vet. Kjo do të thotë se edhe në PS nuk kanë “rilindur” të gjithë në të njëjtën masë, pavarësisht se sa kohë e ngrejnë të gjithë njësoj kartonin ditën e enjte e ke vështirë t’i ndash.

Protesta jonë mund ta ndihmojë edhe Pandeli Majkon ta marrë më me sportivitet, jo vetëm shakanë, por edhe zgjedhjen kundër bindjeve të tij politike të të birit, në rast se kjo do të ndodhte një ditë.

Sepse zgjedhjet e lira me sa duket paskan një kuptim edhe më të gjërë, se sa thjesht vota në kutinë e fshehtë një herë në katër vjet. Ato të ndihmokan për të njohur dhe kuptuar më mirë edhe familjen.