Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka refuzuar ftesën e Sali Berishës për rikthim në PD të të gjithë atyre që u larguan në kohën kur partia drejtohej nga Lulzim Basha.
Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook, Patozi shprehet se nuk është në kërkim të ndonjë partie, teksa e cilëson PD-në e sotme të katandisur si mos më keq nga drejtimi i gabuar për një kohë të gjatë dhe të pandërprerë.
“Ndihem shumë rehat sot me jetën dhe lirinë time, ndërkohë që për asnjë çast në këtë botë nuk kam menduar se politikë bëhet vetëm brenda një partie dhe vetëm rrotull një udhëheqësi legjendar dhe të pagabueshëm. Por meqë ftesa verbale për “dasëm” qenka bërë pas mesit të natës, kujtoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe 5 vjet më parë, kur na larguan. Natyrisht, pa votë dhe pa mbledhje forumesh politike”, shkroi Patozi në Facebook.
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme pas mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit, ish-kreu i PD Sali Berisha foli dhe për emrat e të larguarve që kthehen në strukturat e partisë si Arben Imami, Jozefina Topalli dhe të tjerë. Ai u bëri thirrje të gjithë të larguarve nga partia që të rikthehen.