Presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelensky i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të ndihmojnë në mbylljen e hapësirës ajrore të Ukrainës, gjatë një bisede në Zoom me disa kongresmenë e senator amerikanë këtë të shtunë, raporton CNN.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Moska do të konsiderojë si të përfshirë në konflikt çdo shtet që vendos të mbyllë qiellin e Ukrainës.
“Në çdo moment që ky vendim do të merret, do të konsiderohet nga ne si pjesëmarrje në një konflikt të armatosur, nuk ka rëndësi se cilës organizate i përkasin”, tha lideri rus gjatë një takimi me punonjësit e kompanisë ajrore Aeroflot të shtunën.
Kërkesa vjen në të njëjtën ditë kur Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se vendosja e zonës së ndalim-fluturimit “do të sillte pasoja kolosale dhe katastrofike jo vetëm për Europën, por për të gjithë botën” dhe çdo shtet që e bënte do të konsiderohej si i përfshirë në konflikt.
Zelensky kërkoi gjithashtu sanksione më të mëdha për Rusinë, përfshi edhe në sektorin energjitik, dhe shtimin e ndihmave ushtarake për ushtrinë e vendit të tij. Një senator tha për CNN se Zelensky kërkoi ndalimin e importit të naftës ruse dhe pezullimin e transaksioneve financiare.
Telefonata zgjati rreth një orë dhe në fund të saj, disa dhjetëra ligjvënës amerikane falënderuan Presidentin Zelensky dhe disa prej tyre thirrën edhe “Slava Ukraini” – “Liri Ukrainës”, sipas një prej personave të pranishëm. Sipas të njëjtit burim, cituar nga CNN, Zelensky u prek nga kjo thirrje.