Kryesore Rritja rekord e çmimit të naftës, Rama: Ka luftë në Ukrainë

Rritja rekord e çmimit të naftës, Rama: Ka luftë në Ukrainë

Çmimi i naftës ka shënuar një rritje rekord sot. Revolta në rrjetet sociale ka qenë e madhe dhe këtë arsye kryeministri Edi Rama ka replikuar me ndjekësit e tij në Facebook.

Një prej komentuesve, shkruan se si nuk ka kontroll nga qeveria për rritjen e çmimeve të naftës dhe të miellit.

Kreu i qeverisë i përgjigjet se çmimet e naftës dhe të miellit nuk varen nga qeveria, ndërsa flet edhe luftën që po zhvillohet në Ukrainë.

Sipas tij, edhe Shqipëria nuk mund t’i shpëtojë ndikimit dhe pasojave të luftës në Ukrainë.

Elion Tahiri: Çfarë po ndodh me çmimin e naftës dhe miellit si është e mundur qe nuk ka një kontroll për këto gjera s’është e drejtë të rriten çmimet ne çdo sekondë duhet të keni një zgjidhje për këtë/

Edi Rama: Elion Tahiri po bëhet lufte, lufte prej vërteti, luftë me bomba e me viktima e me plagë të jashtëzakonshme, kjo po ndodh dhe po te ishte i mundur kontrolli i çmimeve nga qeveria, do e kishte ndonjë qeveri në Europë ku çmimet po rriten edhe me frikshëm se këtu, ndërkohë që këtu nuk po rritet ende energjia elektrike, pikërisht sepse shteti që e shet dhe e blen energjinë, ndryshe nga nafta e mielli e tërë të tjerat që shiten e blihen nga privatët, po e mban me dhëmbë kur i thonë llafit pikërisht që të lehtësojë sadopak familjarët! Që s’është e drejtë kjo nuk diskutohet, po s’ka si të mos ndodhë në këto kushte alarmi në të gjitha tregjet dhe me sanksionet ndaj Rusisë që është eksportuesi më i madh në Europë i gazit, naftës dhe grurit, por ama nga ana tjetër s’ka se si të mos e marrim edhe ne bashke me tërë të tjerët, një pjesë të barrës së luftës së ukrainasve kundër një agresioni ushtarak mbi shtetin e tyre sovran e demokratik, sepse historia na ka mësuar më shumë se një herë që kush mbyll sytë kur i vjen tjetrit lufta ne shtepine e vet, shumë shpejt e ka luftën në shtëpinë e tij!