Politika PD: Covid-i në shkolla ka dalë jashtë kontrollit

PD: Covid-i në shkolla ka dalë jashtë kontrollit

Partia Demokratike ka akuzuar sot se shkollat në vend po shndërrohen në vatra të rrezikshme të përhapjes së Covid-19. Përmes një deklarate për mediat, ish-deputetja Albana Vokshi deklaroi se situata ka dalë jashtë kontrollit.

Ajo u shpreh se 90% e shkollave janë pa kushtet minimale higjieno-sanitare, janë pa ujë të rrjedhshëm, ndërsa mësuesit janë të lodhur e të shfrytëzuar pavarësisht se janë në vijën e parë të betejës me virusin Covid-19.

“Vetëm pak ditë më parë për fat të keq një mësues, një tjetër prind, një drejtues i shkollës në Paskuqan humbi jetën. Pikërisht kjo humbje jete e një mësuesi, kjo rritje eksponenciale e numrit të mësuesve dhe të nxënësve të rezultuar pozitiv me Covid-19 duhet t’u shërbente si kambanë alarmi për qeverinë, për Ministrinë e Arsimit, për ministren Kushi për t’u shkundur, megjithëse e marrë me shumë vonesë, masat e duhura për të krijuar ambientet e përshtatshme dhe të sigurta për mësimdhënie për mësuesit dhe për nxënësit”, tha Vokshi.

Sipas ish-deputetes qeveria e Ramës nuk ka prioritet mësuesit e nxënësit, por vetëm që paratë e buxhetit të shtetit të dërgohen në parajsa fiskale. Vokshi e bëri deklaratën para shkollës “Emin Duraku”, ku para disa ditësh u njoftua se 8 mësues kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, ndërsa 20 mësues janë karantinuar.

Por pavarësisht kësaj, sipas Vokshit, drejtoria nuk ka bërë asnjë njoftim që prindërit të marrin masat e duhura për të siguruar mirëqenien dhe shëndetin e fëmijëve të tyre.

“Zëvendësimi i mësuesve të karantinuar apo mësuesve që kanë rezultuar pozitivë me mësues në dispozicion, nuk është zgjidhje”, tha Vokshi.

Ajo shtoi se nuk dihet se ku janë vatrat e përhapura të Covid-19 në mënyrë që të merren masa dhe të izolohen rastet.

“Vetëm javën e fundit, nga informacionet që vijnë në PD, janë me dhjetëra rastesh mësuesish, dhjetëra raste nxënësish, duke e çuar numrin total në më shumë se 320 mësues dhe nxënës të infektuar me Covid 19, të izoluar dhe të karantinuar”, tha ajo.

Vokshi i bëri thirrje qeverisë që të zbatojë planin 5 pikësh të opozitës për nxjerrjen e vendit nga kriza.