Kryesore Greva e naftëtarëve, Rama: Jam i gatshëm të bisedoj me ta, por...

Greva e naftëtarëve, Rama: Jam i gatshëm të bisedoj me ta, por jo kështu

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje naftëtarëve të Ballshit që të ndërpresin grevën e urisë si dhe ka shprehur gatishmërinë që të ulet në diskutime me ta për zgjidhjen e situatës.

“U përsëris naftëtarëve të Ballshit që greva e tyre është e panevojshme, sepse unë jam me ta dhe qeveria është e tyrja! Ne jemi plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit të tyre që është edhe halli ynë dhe është absurde që hallin t’ua qajnë ata që ua shkaktuan!”, shkruan Rama në Twitter.

“I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu! Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm!”.

Gratë naftëtare i përgjigjen Ramës: Ta harrojë se do ndalemi, qëndrojmë deri në vdekje

Gratë naftëtare që prej disa ditësh janë futur në grevë tek Uzina e naftës në Ballsh i janë përgjigjur kryeministrit Edi Rama pasi ky i fundit u bëri thirrje të ndalojnë.

Një prej grave i kërkon kryeministrit të vijë t’i takojë gratë, të ulen dhe të diskutojnë për një zgjidhje.

”Ta harrojë kryeministri që të ndalim grevën ne, po nuk erdhi këtu. Këtu do vdesim, pse kjo është zgjidhje? Nuk i besojmë, të gjitha mashtrime. Janë bërë të gjithë të pabesueshëm. Ai dhe Balluku të vijnë. S’ka reaguar fare, pse ky është reagimi, të dalim nga greva.”- tha gruaja.

Një grua tjetër premton se greva nuk ndalet deri në vdekje teksa kërkon rrogat e prapambetura dhe rifillimin e punës.

”Deri në vdekje. E vdekur do dal, dua të drejtën time. Dua rrogat e prapambetura dhe rifillim të punës. Sytë e veshët i kemi vetëm tek Rama dhe Balluku. Kemi lënë familjet, jemi shumë keq nga gjendja ekonomike dhe shëndetësore”, tha grevistja.

Kurse një tjetër greviste zbuloi se gratë e lënë në moment grevën vetëm po iu hodhën lekët nga kryeministri (qeveria), i vetmi prej të cilëve presin zgjidhjen.