Partia Demokratike denoncoi mëngjesin e sotëm mungesën e ilaçeve në Spitalin Shefqet Ndroqi, i cili pak më vonë i cilësoi të pavërteta këto pretendime.
Ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia shkroi të mërkurën në Facebook se autoritetet shëndetësore nuk kanë siguruar sasinë e duhur të ilaçeve në Spitalin Shefqet Ndroqi. Këtë pretendim Spahia e shoqëroi me një faksimile të një mesazhi në Whatsapp ku atij i shprehnin mungesën e “antiviraleve, të cilët janë alternativë mjekimi për 150 të shtruar në Spitalin Shefqet Ndroqi”.
Spitali Shefqet Ndroqi është spitali i dytë në vend që trajton të infektuarit me COVID-19. Në përditësimin e së martës ministria e Shëndetësisë tha se në dy spitalet, Shefqet Ndroqi dhe Spitalin Infektiv të QSUT-së, kishte 124 pacientë.
Mirëpo Spahia theksoi se sipas denoncimit të tij, autoritetet nuk tregojnë numrin e saktë të të shtruarve dhe gjithashtu nuk kanë sasinë e duhur të ilaçeve.
Pas këtij denoncimi, në web-site-in e Spitalit Shefqet Ndroqi u publikua një reagim, ku u theksua se “nuk mungon asnjë medikament apo trajtim për pacientët”.
“Spitali Covid2 “Shefqet Ndroqi” ka marrë të gjitha masat e nevojshme për t’u kujdesur për të gjithë pacientët, me terapitë e plota të mjekimit,” – theksohej në reagimin e spitalit, i cili shoqërohej me apelin për t’i lejuar punonjësit e shëndetësisë të kryejnë detyrën.
Në reagimin e spitalit Shefqet Ndroqi megjithatë nuk u dha informacion në lidhje me numrin e të shtruarve me COVID-19.
Prej muajit mars, kur u diagnostikua i infektuari i parë me COVID-19 në Shqipëri, autoritetet kanë pikasur rreth 6,700 raste të tjera, prej së cilave rreth 3,500 janë mundur të shërohen, 205 nuk ia kanë ndalë mbanë ndërsa rreth 3,000 mbeten të infektuar.