Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka votuar që partia të hyjë në zgjedhjet vendore të 14 Majit përmes një koalicioni së bashku me Partinë e Lirisë. Në këtë mënyrë ato garuan edhe në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022 në 6 bashki. Në atë kohë koalicioni u quajt “Shtëpia e Lirisë”.
Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme. Përmes këtij votimi, mandatohet Kryesia e Partisë Demokratike për të formuar koalicionet për zgjedhjet vendore.
Një tjetër variant i diskutuar në mbledhjen e këshillit Kombëtar ishte që kandidatët e primareve të garonin si të pavarur, por kjo nuk ka gjetur shumë mbështetje.
“Pati deri diku edhe ide që kjo mund të kombinohej. Në bashki të ndryshme mund të dilej me koalicion, në bashki të tjera mund të dilej me kandidat të pavarur, por në fund u vendos që të dalim në të gjithë vendin me koalicion”, tha pas mbledhjes kreu i Këshillit, Edi Paloka.
Për emrin e koalicionit nuk ka ende një vendim.
“Janë disa parti me të cilat ne kemi marrëveshje. Partia e Lirisë, PBDNJ dhe gjithë partitë që kemi pasur në koalicion me të cilat do të diskutohet. Akoma nuk është vendosur emri i koalicionit”, shtoi Paloka.
Ky vendim vjen dy ditë pas vendimit të Apelit që riktheu për gjykim nga e para në Shkallën e Parë çështjen e vulës së PD.
Të hënën e 6 marsit skadon afati për regjistrimin e partive në zgjedhje. Sali Berisha paralajmëroi dërgimin shkresës së regjistrit të PD-së në KQZ. Ai e konsideroi vendimin e Apelit një “letër të pavlerë”.
Sipas Berishës derisa Apeli të shprehet për rekursin e vendimit, ai vendim nuk ka hyrë në fuqi. Kujtojmë se edhe pala e Enkelejd Alibeajt në krahun tjetër ka njoftuar se do të kërkojë regjistrimin në zgjedhje. Gjatë kësaj kohe ai ka prezantuar disa kandidatë në bashki të ndryshme.