Politika “PD ka vetëm dy zgjidhje”, Basha: Të jetë e pranueshme për Perëndimin...

“PD ka vetëm dy zgjidhje”, Basha: Të jetë e pranueshme për Perëndimin ose të jemi “non grata”

Lulzim Basha ka mbledhur këtë të mërkurë të kryetarët e degëve të PD-së. Kreu i selisë blu ka theksuar se do të zbatojë statutin ndaj kujtdo që dëmton interesat elektorale dhe politike të PD. “Kush shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën”, mësohet të ketë thënë Basha.

“Do të bëjë Sali Berisha miting më 11 Dhjetor? Apo mendon se do të ngrejë struktura paralele? Ka thënë që nuk e njeh Kuvendin e datës 18 si Kuvend legjitim. E kuptoj, asgjë legjitime nuk njeh Sali Berisha. Sepse qëllimi është ilegaliteti, bunkerizimi, destabilizimi i PD. Por veprimet ilegjitime, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD, e kanë përgjigjen në statut. Dhe do ta zbatoj statutin ndaj kujtdo. Kush shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Boll është boll. Asnjë anëtar nuk është mbi Statutin dhe nuk është mbi të tjerët”, tha Basha.

Kryetari i PD-së ka thënë se PD-ja ka 2 zgjedhje, ose të jetë e pranueshme për Perëndimin dhe SHBA ose të jetë parti “non grata”.

“Kemi përgjegjësinë historike, përpara demokratëve dhe shqiptarëve, që të mos lejojmë që partia që në 1992 erdhi në pushtet në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, që ndërtoi lidhjet më të forta me partnerët perëndimorë, të mos përfundojë “non grata”. Ky është thelbi që disa përpiqen të fshehin nga gjithë kjo histori, si nga ata që e shfrytëzojnë këtë moment për interesa personale, por edhe nga ata që duan të dëmtojnë Partinë Demokratike. Prandaj të jetë e qartë për të gjithë, ose ne do të jemi një parti e pranueshme për Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara, mikun tonë të madh, ose do të jemi një parti “non grata”. Nuk ka zgjidhje tjetër dhe kushdo me mend në kokë e kupton që është ekzaktësisht kështu”, mësohet të jetë shprehur Basha.