Partia Demokratike me anë të ish-deputetes, Albana Vokshi, ka hedhur akuza kundër qeverisë duke thënë se nuk po menaxhojnë dot situatën e COVID-19 në shkolla. Nga selia blu, ish-deputetja tha se “në javën e parë të vitit të ri shkollor doli në pah shqetësimi kryesor i yni dhe i prindërve se në rreth 80% e shkollave nuk ka kushte higjienike dhe infrastruktura e dobët shkollore nuk krijon kushtet për zbatimin e protokolleve të sigurisë”.
Vokshi thotë se qeveria nuk ka shtuar asnjë qindarkë për të rritur sigurinë e nxënësve dhe të mësuesve. “Vetëm nga të dhënat tona, në të gjithë vendin kanë rezultuar të infektuar që javën e parë më shumë se 50 mësues, edukatorë dhe sanitarë”, shprehet ajo.
Më tej demokratja ka publikuar dhe disa raste të infektimeve të mësuesve në shkolla, duke thënë se gjithçka është mbajtur e fshehtë nga autoritetet. “Në Tiranë janë dy shkolla të mëdha me mësues të infektuar. Gjimnazi “Ismail Qemali”, ku nëndrejtoresha ka rezultuar me COVID, duke infektuar edhe 2 mësuese të tjera. Gjithçka është mbajtur e fshehur deri në denoncimin e një mësueseje, ndërkohë që janë testuar një numër i kufizuar mësuesish. Tek gjimnazi “Petro Nini Luarasi” ka më shumë se 5 mësues të infektuar, por situata kritike mbahet e fshehtë. Tek shkolla “Jerodim De Rada”, 10 mësues janë të infektuar dhe 12 të tjerë të karantinuar. Në Delvinë janë 3 të infektuar: 1 mësuese, 1 edukatore kopshti dhe 1 sanitare”, shprehet Vokshi.
Ish-deputetja thotë se në të gjithë vendin kushtet janë skandaloze në shkolla dhe sipas saj mungojnë termometrat. “Në Sarandë janë 9 mësues, edukatorë dhe sanitarë të infektuar. Në Ersekë janë 12 mësues të infektuar. Edhe në Bulqizë janë 4 mësues me Covid, por nuk është urdhëruar pezullimi i mësimit siç parashikonte edhe vetë udhëzuesi i qeverisë”, njoftoi Vokshi.
Në fund demokratja shprehet se për mësuesit dhe edukatorët duhet pa vonesë testim masiv. “Nuk është një investim i madh në para, janë më pak se 2 milionë dollarë, të cilat sigurojnë testim kombëtar për COVID 19 dhe testim serologjik, nëse mësuesit e kanë kaluar apo jo virusin”, përfundon ish-deputetja, Albana Vokshi.