Politika “PD në dëshpërim që nuk ka më shumë viktima”, Rama u përgjigjet...

“PD në dëshpërim që nuk ka më shumë viktima”, Rama u përgjigjet akuzave se testet i kanë bërë deputetët e familjarët e tyre

Kryeministri Edi Rama tha sot se Partia Demokratike është e dëshpëruar që në vend nuk ka më shumë viktima, e më shumë halle për popullin. Në një lidhje me emisionin Open, shefi i qeverisë dha përgjigjen e tij edhe për akuzat e opozitës se ato pak teste që janë për epideminë janë bërë nga deputetë dhe familjarë të tyre.

Ato pak tamponë janë bërë për deputetë e familjarë të tyre, a ka të vërtetë në këtë akuzë?

RAMA: S’dua të humbas kohë me kryetarin e PD se realisht është për të ardhur keq që në mes të një lufte ku është sot njerëzit meritojnë që nga çdo figurë publike, pavarësisht statusit të kenë mbështetje, inkurajim, ndihmë solidare në kuptimin e zemrës e mendjes së angazhuar, fjalë të tilla, akuza të tilla janë tragji-komike për një kryetar partie e për një parti.

Çfarë do të thotë që testet i kanë bërë deputetët? Testet s’janë ushqime që po i hiqen nga goja njerëzve në nevojë e po i gllabërojnë deputetët.

Në fund ajo që vlen është rezultati, nëse do kishim një strategji të kësaj politike të suksesshme shëndetësore deri tani që do kish qenë pa rrugë e pa sy e pa mendje, do kishim pasur spitale të mbingarkuar e njerëz që vdisnin rrugëve.

E kuptoj që ka një dëshpërim siç ka pasur gjithmonë nga kryetari apo nga PD që nuk ka më shumë të vdekur e më shumë probleme, më shumë halle, dëshpërim në popull, unë e kuptoj këtë.

Ju thoni që këtë do kryetari i PD?

RAMA: Mendoj që nëse thuhen gjëra të tilla, me ose pa dashje nxirret në mexhelis një dëshirë që mund të jetë edhe e pavetëdijshme në një kohë që unë di shumë mirë që lideri legjendar i PD është në kërkim të kufomave çdo ditë dhe është në një përpjekje haluçinante për të treguar një realitet imagjinar funeralesh që zhvillohen fshehurazi.

Ka dijeni drejtpërdrejt nga shefi i shërbimeve funerale imagjinare, për të vdekur nga epidemia që i paskan shpëtuar syve të gjithë dynjasë e u fshehkan me kaq sukses nga qeveria. Këto gjëra janë të turpshme e të fajshme.

Rama: Do të kishim mijëra viktima nëse nuk do merrnim masa

Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin Open në Top Channel ka deklaruar se Shqipëria falë masave të ndërmarra kundër përhapjes së Covid-19 dhe bindjen e popullit, është ndër vendet me më pak fatalitet nga ky virus.

Sipas Ramës, nëse nuk do të merreshin këto masa në Shqipëri do të kishte me mijëra të vdekur.

Rama ka thënë se aktualisht në Shqipëri kemi vetëm 18.2% të shtretërve të zënë me pacientë dhe situata në sistemin shëndetësor është në rregull.

“Për asnjë moment nuk duhet të lëshojmë llogoren. Edhe duke paraparë masa lehtësuese dhe një hapje graduale të jemi të vetëdijshëm se armiku nuk ka ikur nga Shqipëria”, tha Rama.

“Testimet i bën Komiteti Teknik i Ekspertëve. Që absolutisht nuk kanë asgjë më pak se ata të vendeve të zhvilluara. Nuk po shohim ekspertë që po bën mrekulli. Për mua si Kryeministër ka rëndësi rezultati. Sot ne kemi vetëm 18.2% të shtretërve në dispozicion të zënë. Që do të thotë se jemi shumë larg situatës të shumë vendeve që nuk kanë vende ku të shtrohen pacientët. Të tjerat nuk kanë vlerë. Të shpëtojmë sa më shumë jetë dhe të mbrojmë sistemin shëndetësor. Kemi shpëtuar qindra e qindra jetë. Se nëse nuk do kishim marrë këto masa dhe njerëzit nuk do kishin qenë kaq të gatshëm për këto masa. Sot do ishim duke bërë biseda në një situatë makthi. Nuk do të dilnim pa mijëra të vdekur”, tha Rama.

“Kemi një numër fantastik të të shëruarve. Edhe të humburit edhe tre po të jenë jo 23, janë jetë. Po të shohim pikënisjen neve sot mos na marrtë njeri në sysh”, tha kryeministri Rama.