Vijojnë akuzat e opozitës ndaj Valdrin Pjetrit. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka publikuar sot provat që sipas tij dëshmojnë për dënimin në Itali, të Pjetrit.
Dokumentet të cilat publikoi Bardhi, janë të dhëna të nxjerra sipas tij nga sistemi elektronik i kuesturës së Firences, në të cilat rezulton se Valdrin Luigj Pjetri, lindur në Shqipëri, është arrestuar në flagrancë me shtetasin Altin Doda në 27 janar 2003 në Firence.
Po sipas këtyre dokumenteve, Pjetri ka pranuar kryerjen e krimit dhe fajësinë në 28 janar 2003 përpara gjykatës duke nënshkruar marrëveshjen për dënimin. Ai është dënuar nga gjykata e Firences në 12 qershor 2003 për shpërndarje prodhim i lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim.
Por për shkak të marrëveshjes, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit. Më 4 shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti italian.