Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar dokumente që sipas tij tregojnë se Mark Babani, kryebashkiaku i Vaut të Dejës, është arrestuar në Itali si pjesë e një grupi që vidhte makina.
“Mark Babani ose Marq Babaj siç njihej në vendin fqinj, është arrestuar në Siçili për vjedhje në rrethana rënduese e kryer në bashkëpunim, duke vjedhur makina. Ka qenë pjesë e një grupi të rrezikshëm kriminal në zonën e Siçilisë. Ai ka qëndruar në burg deri në 6 maj 1994 dhe më pas është dëbuar nga shteti italian.
Kjo është vetëm një pjesë e dosjes kriminale të kandidatit të Edi Ramës për Vaun e Dejës”, tha Bardhi.
“Mark Babani është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit. Në vend që ta shkarkojë, Edi Rama e mbron Mark Babanin, njësoj si Pjetrin dhe Kajmakun, që duhet të ishin në burg për fallsifikim. Edi Rama është politikani i vetëm në Europë, që promovon, mbështet dhe qeveris me krimin”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.