Partia Demokratike ka publikuar sot një tjetër provë që, sipas saj, konfirmon se Agim Kajmaku, kryebashkiak i Vorës, ka qenë i arrestuar në Greqi. Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, deklaroi se në vendimin e autoriteteve greke “thuhet se shtetasi i arrestuar për krimin që dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim (falsifikim parash), është shtetasi shqiptar Jorgo Toto që posedon pasaportën me nr. Z 0148497.”
“Sipas rregullave në fuqi, kur një shtetas pajiset me pasaportë, të dhënat e tij hidhen menjëherë në sistemin shtetëror TIMS. Këtë dokument autentik ne e posedojmë dhe, nëpërmjet tij, provojmë në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i arrestuar në vitin 2003 në Greqi. Sipas sistemit shtetëror TIMS, Agim Kajmaku (që është ekzaktësisht personi që shikoni në foto), kur ka patur emrin Jorgo Toto, i datëlindjes 06.07.1971, i biri i Imer dhe Maxhe, ka qenë posedues ekzaktësisht i pasaportës me Nr. Z 0148497. Kjo është një provë e pakontestueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi me pasaportën me nr. Z 0148497, është Jorgo Toto, që ju shikoni në foto, me pasaportën me nr. Z 0148497, dhe që sot mban emrin Agim Kajmaku”, deklaroi Bardhi.
Bardhi theksoi se këtë provë organi i prokurorisë mund ta verifikojë brenda një minute sepse ka akses të plotë në sistemin TIMS, por, sipas tij, kryeprokurorja Arta Marku ka vendosur të zbatojë “strategjinë e Edi Ramës për të mashtruar opinionin publik”.
“Arta Marku shpëndan lajme që ajo po vepron me shpejtësi dhe i ka kërkuar subjektit nën verifikim që të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike. Kjo është e paligjshme. Sipas ligjit të dekriminalizimit, gjurmët e gishtave nuk i kërkohen personit. Ato merren në sistemin e të dhënave shtetërore biometike të shtetasve shqiptarë. Agim Kajmaku është i pajisur me pasaportë biometike dhe shenjat e tij të gishtave gjenden në sistem. Sipas ligjit ato i kërkohen personit që t’i depozitojë vetëm nëse nuk ndodhen në sistem. Ky nuk është rasti as i Agim Kajmakut, as i Valdrin Pjetrit, sepse që të dy janë në sistem dhe posedojnë një pasaportë biometrike. Akti i paligjshëm i Arta Markut me kërkesën për dhënien e gjurmëve të gishtave, është një lojë e mirëmenduar kriminale, që synon të vonojë dhe të mbrojë kriminelët e pushtetshëm të Edi Ramës”, tha Bardhi.
Për këtë rast, PD njofton se ka informuar që dje të gjithë trupin diplomatik në vend.