Partia Demokratike vazhdon ta quajë show dhe propagandë paketën AntiKÇK të miratuar nga qeveria javën e kaluar dhe që pritet të ketë në fokus pasurinë e kriminelëve. Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, sekretari për çështjet ligjore, Çlirim Gjata, u shpreh se pas Edmond Begos, personi i dytë që duhet të bëhet subjekt i OFL-së është Saimir Tahiri.
“Ish-ministri i tij i Brendshëm, i cili ka hyrë në histori për kanabizimin e Shqipërisë, është një nga subjektet ideale të ligjit propagandistik të Edi Ramës. Saimir Tahiri akuzohet për trafik droge nga drejtësia, bën një jetë luksoze me rrogë shteti, hap biznese të reja, madje i sfidon të gjithë duke paguar 20 mijë dollarë për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Sipas Gjatës, sondazhet tregojnë se shqiptarët nuk i besojnë më kryeministrit Rama, pasi ky i fundit nuk ka ndërmend të luftojë krimin e organizuar.
“Njësoj ka për të vepruar edhe me Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng me gjithçka di për lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar. Edi Rama ka ndërmend të bëjë vetëm show me një grup policësh, të keqpërdorur dhe të tradhtuar në këto 6 vjet prej paktit të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin e organizuar”.