Parlamenti Europian ka publikuar sot në faqen zyrtare deklaratën e tre eurodeputetëve që u fshi një ditë më parë lidhur me zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit për reformën zgjedhore.
Në deklaratën e një dite më parë, thuhej se: “Çdo modifikim i Marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike mund të rrezikojë thirrjen e konferencës së parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të ngadalësojë procesin e integrimit europian”.
Ndërsa në deklaratën e publikuar sot, kjo fjali është zëvendësuar me: “Është e rëndësishme arritja e një marrëveshjeje, ruajtja e dialogut dhe konsensusit me të gjitha partitë politike, në mënyrë që të mund të thirret konferenca e parë për anëtarësimin dhe rrjedhimisht vazhdimi i procesit të integrimit europian”.
Deklarata e plotë e publikuar në faqen e Parlamentit Europian:
Në një deklaratë të përbashkët, kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme David McAllister (EPP, DE), Raportuesja e Përhershme për Shqipërinë Isabel Santos (S&D, PT) dhe kryetari i Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë, Manolis Kefalogiannis (EPP, EL) kërkuan nga Parlamenti i Shqipërisë që të miratojë me shpejtësi Marrëveshjen e 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore.
“Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis qeverisë dhe opozitës më 5 qershor.
Është e rëndësishme arritja e një marrëveshjeje, ruajtja e dialogut dhe konsensusit me të gjitha partitë politike, në mënyrë që të mund të thirret konferenca e parë për anëtarësimin dhe rrjedhimisht vazhdimi i procesit të integrimit europian.
Çdo vend është i lirë të vendosë dhe të përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit. Sidoqoftë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në sistemin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara. Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës.
Parlamenti Europian është i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit europian dhe është i gatshëm të punojë me Parlamentin shqiptar në lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e konsensusit mbi reformat thelbësore në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjshmërisë që janë të domosdoshme për të ardhmen në BE të vendit”.