Julian Assange e shfrytëzoi ambasadën e Ekuadorit në Londër si qendër përgjimi. Në një intervistë për “The Guardian”, presidenti i Ekuadorit Lenin Moreno tha se asnjë vend tjetër nuk kishte ndikuar në vendimin për t’i hequr mbrojtjen diplomatike themeluesit të Wikileaks.
“Jemi penduar që lejuam Assange të përdorë ambasadën tonë për të ndërhyrë në demokracitë e vendeve të tjera”, ishin fjalët e Morenos.
“Çdo përpjekje për të destabilizuar është një akt i dënueshëm për Ekuadorin, sepse ne jemi një komb sovran dhe i respektueshëm. Ne nuk mund të lejojmë që shtëpia jonë, shtëpia e cila hapi dyert, të bëhet qendër për spiunazh”, tha Lenin Moreno.
Avokatët e Assange i mohojnë akuzat dhe i cilësojnë pretendimet si skandaloze. Presidenti Moreno, që erdhi në pushtet në 2017-tën, përmendi gjithashtu higjienën e keqe të 47-vjecarit. Julian Assange përballet me rrezikun e 12 muajve heqje lirie pasi u shpall fajtor për shkelje të lirisë më kusht kur hyri në ambasadën e Ekuadorit në Londër në vitin 2012.
Ai kërkoi strehim diplomatik pasi humbi betejën për ekstradimin në Suedi ku përballej më akuzën e sulmeve seksuale. Australiani do të luftojë tani kundër ekstradimit në SHBA, ku akuzohet se ka konspiruar me një ish-analist të ushtrisë amerikane për vjedhjen e dokumenteve të klasifikuara.