Për pak ditë do të mbushte 20 vjeç, por një aksident i tmerrshëm mbrëmjen e 31 janarit do t’ia ndërpriste ëndrrat në gjysmë. Është kjo historia e dhimbshme e Tomas Hotit.
I riu shqiptar u dëmtua rëndë dhe u dërgua në spital, ku luftoi me vdekjen për 6 ditë. Por të enjten, Hoti do të mbyllte sytë përgjithmonë për shkak të plagëve të rënda. Përveç dëmtimeve në bark dhe kraharor, ai kishte marrë plagë të rënda edhe në kokë.
Tomas Hoti lindi në Shkodër. Ai ishte zhvendosur sëbashku me familjen në Macchiagodena, Itali, disa vite më parë. I riu kishte dy vëllezër dhe punonte në një ofiçinë. Me 12 Shkurt ai do të mbushte 20 vjeç. Hoti ishte një person shumë i dashur nga komuniteti ku jetonte.
“Një djalë me jetën përpara, i integruar dhe shumë i dashur. Një person që do të donin ta përqafonin të gjithë”, shkruhet në mediat italiane.
Disa ditë më parë banorët në Macchiagodena organizuan një meshë lutjeje për të riun. Autoritetet janë duke hetuar rreth aksidentit që i mori jetën Tomas Hotit. Makina e tij tip “Fiat” u përplas me një furgon në autostradë.