NATO i beson Shqipërisë organizimin e Ministerialit të Mbrojtjes, duke vlerësuar kështu rolin që vendi ynë ka si faktor stabiliteti në rajon. Kjo do të jetë hera e parë që një ministerial i mbrojtjes organizohet në Ballkanin Perëndimor, pasi prej më shumë se 10 vjetësh takimet janë zhvilluar vetëm në Belgjikë.
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s miratuan në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut në Bruksel propozimin e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, që Ministeriali i Mbrojtjes, në qershor të këtij viti të mbahet në Tiranë.
“Vendimi i Aleancës për t’u takuar në Shqipëri është jo vetëm vlerësim maksimal për sigurinë që vendi ynë përcjell si një aleat i denjë, por edhe një mesazh i fortë i NATO për vëmendjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor e rolit të fortë që Shqipëria luan si faktor stabiliteti në rajon”, tha ministrja në përfundim të Ministerialit të Mbrojtjes, mbajtur në Bruksel në 12 dhe 13 Shkurt.
Por, sipas ministres Xhaçka, “takimi i rëndësishëm që pritet të mbahet në Qershor është një herësh edhe përgjegjësi për t’u përfaqësuar siç duhet në eventin më të madh që pas anëtarësimit tonë në NATO, 11 vjet më parë. Është një sipërmarrje që krahas koordinimit mes të gjitha institucioneve do të tregojë edhe seriozitetin tonë për të qenë për 48 orë kryeqendra e mbrojtjes dhe sigurisë në botë”.
Në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut, Ministrja Xhaçka falenderoi vendet aleate që u gjendën pranë popullit shqiptar që në orët e para të 26 nëntorit e të gjithë ata që po vazhdojnë të na asistojnë në fazën më të rëndësishme, atë të rindërtimit. Gjatë Ministerialit në Bruksel, ministrja e Mbrojtjes u takua me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Mark Esper. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbrojtja është prioriteti numër një, ndërkohë që qeveria dhe taksapaguesit amerikanë janë mbështetësit kryesorë të Forcave të Armatosura shqiptare.