Shërbimet sekrete të marinës amerikane kanë regjistruar 400 incidente të kontaktit me Dukuri të Paidentifikuara Ajrore, diçka që u raportua për herë të parë në 50 vjet në Kongres.
Sipas zv.drejtorit të shërbimeve sekrete të marinës, Scott Bray numri i lartë i incidenteve lidhet me faktin se aktualisht njerëzit raportojnë më shpesh për kontakte të painterpretueshme, edhe pse siç tha ai, Marina ka bërë përpjekje për të eliminuar stigmën e raportimeve të tilla.
Problemi me stigmën dhe paragjykimin me raportimin e kontakteve të tilla ka dëmtuar në fakt mbledhjen e informacionit deri në pikën sa edhe pilotë të marinës kanë shmangur njoftimin mbi kontaktet e tyre. Ligjvënësit amerikanë e kanë cilësuar këtë situatë si kërcënuese për sigurinë kombëtare të vendit.
“Për shumë kohë pilotët shmangnin raportimin, ose përqesheshin kur e bënin. Zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes e kalonin çështjen në papafingo…nga droja e skepticizmit të komunitetit të sigurisë. Sot ne dimë më shumë. Dukuri të tilla janë të pashpjegueshme, është e vërtetë. Por ato janë të vërteta. Ato duhen hetuar”, është shprehur kryetari i nënkomitetit për Çështjet e Kundërspiunazhit dhe Kundërterrorizmit, Andre Carson.
Për Bray, zbardhja dhe deklasifikimi i Dukurive të tilla duhet bërë rast pas rasti dhe se “ushtria nuk dëshiron që kundërshtarët potencialë të dinë saktësisht se çfarë ne jemi në gjendje të shohim apo kuptoj apo sesi ne kemi ardhur në një përfundim”. Një pjesë e seancës dëgjimore është zhvilluar me dyer të mbyllura.