Sport Për herë të parë një grua-gjyqtare në Champions, gjykon Juve-Dinamo Kiev

Për herë të parë një grua-gjyqtare në Champions, gjykon Juve-Dinamo Kiev

Juventus-Dinamo Kiev nuk përcakton ekipet që kualifikohen për në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, por do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme nga pikëpamja historike dhe simbolike: francezja Stephanie Frappart do të bëhet femra e parë që do të arbitrojë një sfidë të këtij kompeticioni meshkujsh. Ajo është përzgjedhur për të gjykuar ndeshjen që luhet të mërkurën në Torino.

Frappart, 36 vjeç, po jep një kontribut të madh për barazinë gjinore në futboll dhe deri tani ka arritur një sërë “rekordesh”. Është femra e parë që ka gjykuar në kampionatin francez, ka gjykuar gjithashtu finalen e Superkupës së Europës në 2019-ën, ndërsa në muajin tetor gjykoi në Ligën e Europës.

Paraqitja e saj ka qenë gjithmonë në lartësinë e duhur dhe shpesh ajo ka marrë vlerësime maksimale nga trajnerët e njohur, mes të cilëve edhe nga ai i Liverpulit, Jurgen Klop. Të mërkurën në mbrëmje francezja do të debutojë edhe në Ligën e Kampionëve, në ndeshjen mes Juventusit dhe Dinamos së Kievit.