Numri i të shëruarve ua kalon për herë të parë atyre që janë të infektuar aktivë. Ky grafik tregon se prej 8 marsit, kur numri i të infektuarve po rritej në vendin tonë, krejt ndryshe ndodhte me të shëruarit.
Deri në 22 mars, në vendin tonë po rritej numri i të infektuarve duke arritur në 89, ndërsa numri i atyre që rezultonin negativë pas dy testeve të kryera ishte vetëm 3.
Pikërisht në 22 mars ishin 3 pacientët e parë që dolën të shëruar nga Spitali Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Ashtu siç duket edhe në këto pamje në grafikun e shifrave të situatës se Covid në vendin tonë, data 5 prill shënoi edhe pikun e kurbës së të infektuarve në Shqipëri.
Në vend regjistroheshin 361 të infektuar dhe 104 persona të shëruar.
Numri i personave aktivë të infektuar në vend ishte 257 persona dhe 21 persona kishin ndërruar jetë.
Por fundi i javës së 5-të, solli një përmbysje të numrit të të infektuarve dhe të shëruarve.
Në 11 prill, në vend kishte vetëm 206 të infektuar aktivë, ndërsa të shëruarit arriti në 217.
Ministria e Shëndetësisë informoi sot se, në 24 orët e fundit janë testuar 233 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 13 raste të reja me COVID-19.
Deri në këto momente janë testuar 3 877 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 446 raste.