Një shqiptar është vënë në pranga në lidhje me aksidentin tragjik ku humbi jetën 29-vjeçari Aldo Gjoka. Ngjarja e rëndë ndodhi në Itali. I arrestuari është Rezeart Turku, 44 vjeç, që banon prej vitesh në Otranto.
Turku u arrestua për vrasje në rrugë për shkak të rrethanave rënduese ndaj tij. Mediat shkruajnë se ai ka qenë në gjendje të dehur në momentin e aksidentit.
44-vjeçari ishte në drejtimin e një ‘Jaguar’-i, ndërsa Gjoka po lëvizte me një motor ‘Yamaha’.
44-vjeçari Turku mbrohet nga avokati Nicola Di Bello dhe pritet të japë versionin e tij të ngjarjes. Por për momentin ai ndodhet në spital dhe nuk është në gjendje të shkojë në gjykatë. Turku ka pësuar fraktura në gjoks dhe brinjë.
Sa i përket viktimës Aldo Gjoka, i cili njihej nga të gjithë si Aldino, u përcoll mëngjesin e 10 Shtatorit në banesën e fundit.
Siç shkruajnë mediat shumica e të pranishmëve në funeral kanë qenë të rinj, të apasionuar pas motorëve si i riu.
Si pasojë e përplasjes që ndodhi në Torre Specchia, motori i Gjokës përfundoi pas një muri të një banese. Mjeti i tij mori flakë dhe dokumentet e tij u shkatërruan, prandaj u desh pak kohë që të verifikohej identiteti i tij.
Aldo do të mbushte për pak ditë 29 vjeç.