Aktualitet I dënuar për vrasjen e këngëtarit në 2010, 36-vjeçari kapet me pistoletë...

I dënuar për vrasjen e këngëtarit në 2010, 36-vjeçari kapet me pistoletë gati për qitje në Kamëz

Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Kamzë pasi u kap me pistoletë me fishek në fole. Bëhet fjalë për Erind Mrrukun, i dënuar më parë për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Policia bën të ditur se përveç armës, gjatë kontrollit fizik dhe gjatë kontrollit në banesë, Mrrukut iu sekuestrua po ashtu “municion luftarak, një këllëf për mbajtjen e pistoletës, një palë dylbi, tre mjete prerëse, tre aparate celulare dhe një peshore për metale të çmuara, që iu gjetën 36-vjeçarit”.

Kush është Erind Mrruku

Në korrik të vitit 2010, ai vrau Fabian Nikën. Në atë kohë, Mrruku 23 vjeç, u vetëdorëzua në polici disa orë pasi kishte kryer krimin në plazhin e Shëngjinit, pas një konflikti të çastit. Viktima ishte i dashuri i një këngëtareje të njohur. Fabian Nika, 24 vjeç, ishte djali i një biznesmeni të njohur në zonë, si sapo kishte debutuar si këngëtar i muzikës së lehtë.

Mrruku dyshohet si anëtarë i një grupi kriminal që vepron në Tiranë.

Pasi u mor në pyetje, ai nuk ka pranuar të japë deklarime. Por për shkak se arma ishte me fishek gati për qitje, policia dyshon se mund ta përdorte në ndonjë ngjarje.