Nga Lutfi Dervishi
Pamjet e civilëve me kapuçonë, që në prani të kolegëve me uniformë, ndalojnë protestues paqësorë dhe ushtrojnë dhunë ndaj tyre janë më shumë se revoltuese.
Janë “civilët” e operacioneve speciale. Me ligj kanë vetëm detyra vëzhgimi dhe infiltrimi. Quhen “të fshehtë” dhe vlerën e kanë si të tillë. Detyra e tyre në protesta është të identifikojnë dhe jo të identifikojnë kush nuk u pëlqen, por vetëm personat e dhunshëm. Dhe persona të dhunshëm në këto protesta nuk ka parë njeri. Nuk ia jep ligji policëve të fshehtë të drejtën për të ndaluar protestuesit. Këtë të drejtë ligji ja njeh vetëm policit me uniformë që duhet të jetë i identifikuar.
Nëse këta policë të fshehtë të policisë shtetit dekonspirohen atëherë “digjen” si punonjës policie.
Me veprimet e kundërligjshme dhe me identifikimin e mundshëm do të humbasin vendin e punës.
Po pse ushtrojnë dhunë? Është dhunë që ushqehet nga kultura që është ende prezente në policinë e shtetit: protestën e barazojnë me rrëzimin e qeverisë dhe rrëzimin e qeverisë me ndryshime në polici. Ndryshimet në polici i barazojnë me humbjen e vendit punës. Ushtrojnë dhunë duke menduar se po ruajnë vendin e punës, ndërkohë që çdo hetim i brendshëm i policisë, i Avokatit të Popullit apo prokurorisë mund t’i nxjerrë menjëherë në rrugë bashkë me ata që sot po i dhunojnë.