Nga Grida Duma
Për Sali Berishën dhe përfituesit linçues prej tij,
Për politikën dhe për njerëzoren,
Sot, demokratët janë vendosur me pa të drejtë në një betejë kundër vetes.
Se cilët janë përgjegjësit sot për këtë, vetëm koha do ta vërtetojë një ditë.
Derisa të vijë ajo ditë do na ndajnë dy botë; ata që do përfitojnë dhe ata që e dinë që do goditen por qëndrojnë që demokratët një ditë të fitojnë. Pra përfituesit dhe fituesit!
Se si po vepron secili nga ne në këtë situatë, po ashtu kam bindjen që koha do ta qartësojë një ditë.
Sa edhe kam bindjen që për qëndrimet e mia koha do më japë të drejtë.
Bindjen e qartësinë që kam sot e kam pasur në 2013 kur tradhtarët e tij, përfituesit nga ai me dhjetëra vite madje dhe ata jashtë tij; ju sulën të gjithë Sali Berishës, dhe nuk dilte askush ta mbronte publikisht.
As ata që ju ndryshoi jeta me breza prej tij, aq më pak ata.
E kam mbrojtur unë!
E kjo është e dokumentuar, dhe e fiksuar në kujtesën e demokratëve pa asnjë dritë hije.
E mbroja Sali Berishën si figura politike që mori përgjegjësinë e vet dhe u soll si burrë shteti.
Në atë kohë kur e kam mbështetur nuk kam komunikuar me të as “si” as “pse”; ishte bindje e imja.
Mbështetja ime publike për të, nuk është sot një arsye që unë të kërkoj paqe dhe mirëkuptim nga Sali Berisha, por një arsye më shumë, që të kërkoj prej tij përgjegjshmëri në debatin publik.
Mbi të gjitha i takon atij një guxim njerëzor për t’i thënë vetë gjërat e mira apo të këqija në adresë time apo gjithkujt tjetër.
Por sot shoh sërish skena që përsëriten; shoh se si përpos atyre që e kanë me pastërti reale pjesëmarrjen në përplasjen e brendshme, ka shumë nga ata që i janë sulur e po kacavirren rreth tij, me nuhatje për të përfituar sërish nga ai.
Unë nuk gjykoj këta apo ata aspak!
Natyra njerëzore i ka të gjitha!
Gjykoj dhe kam një reflektim ndaj Sali Berishës!
Gjykoj sepse Sali Berisha, ka mundësi që me një fjalë apo gjest, të drejtojë në çast, ndjekësit e ata që kacavirren të pas tij.
Kjo sepse për fat të mirë ose jo, bashkëpunimi me të, më ka mësuar të kuptoj që valenca e tij politike ka ndikim te fortë tek ata që flasin me fjalët e tij, ata që thonë ato që nuk mund t’i thotë dot vetë ai.
Sot Sali Berisha, më e pakta ka detyrë ta përdorë këtë valencë, që ata që sot vërtiten rreth tij mos përdorin linçimin.
Ka detyrë të ndalojë ata që përdorin linçime personale ndaj njerëzve, që ndoshta sot nuk mendojnë si ai, por që për atë vetë, kanë kontribuar e punuar dhe shumë madje.
Dhe këtë nuk ia drejtoj si kërkesë me përulje, por si një reciprocitet minimal!
Dikush që i thotë vetes “burrë shteti”, pasi mbaron së foluri, nuk rri e dëgjon me endje si linçohen nga ushtarët e tij; ata që nuk mendojnë si ai.
Kjo është nga ato besëprerje që nuk kanë lidhje me “burrin e shtetit”.
Ai i detyrohet modelit që duhet të lërë në histori dhe faktit që përfaqëson më shumë se thjeshtë personin e tij individual në trashëgiminë e demokratëve.
I detyrohet të njerëzishmes, etikës dhe politikës që e ka shenjuar për mirë dhe për keq; por që duhet ta shenjojë edhe më shumë për mirë.
Në këtë betejë finale për Sali Berishën do ishte mirë për të dhe të gjithë, të shihej edhe njeriu tek ai.
Në fakt kjo është realisht beteja e tij.