Të tronditur e të përlotur, mijëra polakë i dhanë lamtumirën e fundit kryetarit të bashkisë së Gdanskut, të qëlluar për vdekje me thikë, gjatë një eventi bamirësie.
Vrasja publike e liberalit Pawel Adamowicz ka ngritur shumë pyetje mbi fjalimet e urrejtjes, që mbushin politikën vendase. 53-vjeçari u godit në zemër nga një ish i burgosur përpara qindra njerëzve të mbledhur në event.
“Kjo është një ditë e trishtuar për të gjithë banorët e Gdanskut. Unë jam 24 vjeç dhe ai ishte fuqia shtytëse në jetën time. Shumë prej nesh ndihen sikur të kenë humbur një baba. Çdo vit shikonim ndryshime në qytet: investime, rrugë të reja, qendra tregtare, institucione kulturore dhe të gjitha këto vetëm falë tij”, shprehet një banor.
Në ceremoninë mortore, të mbajtur në kishën e Shën Mërisë, një prej kishave më të mëdha me tulla në botë, morën pjesë rreth 3,500 vetë, përfshirë presidentin Andrzej Duda dhe kreun e Këshillit të BE-së, Donald Tusk, mik i vjetër i zyrtarit të vrarë.
Agresori 27-vjeçar, që thuhet të ketë një histori problemesh mendore, ka vuajtur në burg një dënim 5-vjeçar për grabitje të armatosur. I liruar kohët e fundit, ai pretendonte se ishte dënuar pa të drejtë nga qeveria e mëparshme, e drejtuar nga partia Platforma Qytetare, pjesë e të cilës Adamoëicz kishte qenë dikur.