Një gjykatë spanjolle ka dënuar me 4 vite e 6 muaj burg ish-futbollistin e Barcelonës, Daniel Alves, pasi e shpalli fajtor për përdhunimin e një gruaje në një klub nate në kryeqendrën e Katalonjës.
40-vjeçari, i cili është një prej futbollistëve me më shumë trofe të fituar në karrierë, i ka mohuar gjithmonë akuzat. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur më 31 dhjetor të vitit 2022.
Gjykata gjithashtu urdhëroi brazilianin që t’i paguajë viktimës 150 mijë euro dëmshpërblim.
“Vendimi u mor pasi u vërtetua që viktima nuk kishte qenë dakord për kryerjen e marrëdhënieve seksuale dhe ka dëshmi që vërtetojnë përdhunimin”, citon Reuters vendimin e gjykatës.
Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 9 vite burg për brazilianin. Alves gjithmonë ka deklaruar se gruaja kishte pranuar më dëshirë për të kryer marrëdhënie me të.