Kryesore Përfaqësuesi i PD kërkon strukturë të posaçme për reformën zgjedhore dhe ikën...

Përfaqësuesi i PD kërkon strukturë të posaçme për reformën zgjedhore dhe ikën nga tryeza

Përfaqësuesi i opozitës në tryezën e thirrur nga OSBE për reformën zgjedhore, Ivi Kaso është shprehur se opozita e bashkuar mbështet realizimin e një reforme të vërtetë zgjedhore.

Sekretari demokrat për çështjet zgjedhore shtoi se reforma duhet të realizohet nga institucione që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ivi Kaso: “Opozita e bashkuar mbështet një reformë të vërtetë zgjedhore. Angazhohet për të diskutuar një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre. Personat që janë subjekt i dosjes 339 dhe 184 janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me reformën e vërtetë zgjedhore që ka nevojë vendi. Për këtë arsye reforma e vërtetë zgjedhore mund dhe duhet të realizohet e zbatohet vetëm nga institucione apo subjekte zgjedhore që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Kaso u shpreh se opozita nuk e njeh legjitimitetin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, duke e cilësuar si një organ që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve.

Ivi Kaso:Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare.”

Opozita e bashkuar propozoi ngritjen e një grupi të posaçëm për reformën në përbërje të cilit të ketë edhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë.

Ivi Kaso: “Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime.”

Pas mbarimit të fjalës së tij, Kaso u largua nga tryeza.