Aktualitet Përfundojnë hetimet, Arbër Papleka i pandehur për vrasjen e Xhuvanit

Përfundojnë hetimet, Arbër Papleka i pandehur për vrasjen e Xhuvanit

Dosja për vrasjen e Pjerin Xhuvanit disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit në Elbasan ka përfunduar në dyert e gjykatës. Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet dhe ka marrë të pandehur Arbër Paplekën me akuzën e vrasjes së Xhuvanit.

Papleka ishte pjesë e strukturës së mbrojtjes së votës në qytetit e Elbasanit, ku drejtues politik i Partisë Demokratike ishte Gazment Bardhi. Prokuroria ka dërguar për gjykim edhe dy zv/drejtorët e policisë Nikollaq Palla dhe Albert Nushi si edhe 6 efektivët e forcave “Shqiponja”, të cilët akuzohen të gjithë për shpërdorim detyre. Po ashtu organi i akuzës bën me dije se vijojnë hetimet për Kelmend Xhaferin për akuzën e vrasjes.

Sipas burimeve zyrtare, prokurorët e çështjes Ritvan Suka dhe Platin Alicka kanë pushuar akuzat për armëmbajtje pa leje, tentativë vrasje të punonjësve të policisë, vjedhje me dhunë dhe heqje e paligjshme e lirisë për Arbër Paplekaj.

Po ashtu pushim i akuzës heqje e paligjshme e lirisë, është kërkuar  për të gjithë anëtarët e strukturës për mbrojtjen e votës. Gjatë përplasjes që ndodhi pak ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit, mes simpatizantëve të dy forcave politike humbi jetën Pjerin Xhuvani si dhe u plagosën 4 persona të tjerë.