Ish-gardiania e burgut të Alabamës, Vicky White, ka ndërruar jetë pas plagëve që i shkaktoi vetes me armë zjarri, pasi ajo dhe i burgosuri që ndihmoi të arratisej, u kapën nga policia të hënën në Indiana. CNN raporton se ajo ndërroi jetë në spital, ndërsa autoritetet ligjzbatuese që po merreshin me çështjen thanë se askush nga efektivët nuk qëlloi në drejtim të saj.
Oficerët e Zyrës së Mareshalëve, që merren kryesisht me kapjen e të burgosurve të arratisur, panë ish-gardianen e burgut të dilte nga një hotel me paruke. Ndërsa më pas, ajo dhe i arratisuri, Casey White, u larguan me makinë. E ndërsa policia po i ndiqte, makina e tyre u përmbys në rrugë. Oficerët raportuan se arritën të nxirrnin nga mjeti të burgosurin, por Vicky mbeti e bllokuar brenda dhe më pas u dëgjua një e shtënë arme, pasi kishte qëlluar veten në kokë.
Mbi 38-vjeçarin White, rëndojnë dy akuza për vrasje, pasi në shtator 2020 goditi me thikë 58-vjeçaren Connie Ridgeway. Sipas Zyrës së Mareshalëve, ai i ka pranuar akuzat dhe po priste nisjen e gjykimit të çështjes, ku me siguri do të shpallej fajtor.
Autoritetet fillimisht menduan se pas arratisjes, në fillim të majit, i burgosuri e kishte marrë peng gardianen, por më pas kuptuan se të dy ishin bashkëpunëtorë. Pasi e nxorën nga makina, Casey White raportohet t’u ketë thënë efektivëve që të nxirrnin prej andej edhe “bashkëshorten” e tij, por autoritetet nuk kanë asnjë dokument zyrtar që të provojë se ata ishin të martuar, edhe pse mendohet se të dy ishin në një lidhje dashurore.