Ka përfunduar pas gati 3 orësh mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të thirrur nga Presidenti Bajram Begaj, ku i pranishëm ka qenë edhe Kryeministri i vendit Edi Rama.
Në përfundim të kësaj mbledhje, Presidenca ka zbardhur konkluzionet dhe rekomandimet e dhëna nga Presidenti Begaj.
Pas raportimeve dhe diskutimeve në Këshillin e Sigurimit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë takim dhe angazhimin e të gjitha institucioneve për garantimin e sigurisë kombëtare në fushën e tyre të përgjegjësisë.
Presidenti theksoi si të rëndësishëm bashkërendimin, përpjekjet dhe sigurimin e gjithpërfshirjes institucionale, përdorimit efikas të burimeve kombëtare dhe kërkimit të kontributit të çdo qytetari në funksion të sigurisë kombëtare.
Gjithashtu në këtë mbledhje, Presidenti Begaj kërkoi që të trajtohen me prioritet procesi i Rishikimit dhe hartimit të dokumentave strategjikë, Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, dokumentave strategjike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, emergjencave civile, si dhe strategjive sektoriale.
Presidenca njofton se këto dokumenta nuk duhet të jenë thjesht dokumenta formalë, duhet të jenë të mirëbuxhetuara dhe sigurojnë përdorimin në mënyrë të koordinuar dhe harmonizuar të instrumentave të fuqisë kombëtare në garantimin e sigurisë, nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rrisin mirëqënien e qytetarëve, dhe sigurojnë mbrojtjen e vlerave dhe interesave kombëtar të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Presidenti Bajram Begaj është shprehur se viti që lamë pas ishte i vështirë dhe sfidues për sigurinë kombëtare të vendit duke përmendur këtu sulmet kibernetike të sponsorizuara nga Irani.
Begaj u shpreh se sulmet kibernetike nuk kanë shkaktuar probleme në infrastrukturën dixhitale në vend, por ishte me qëllime të dukshme politike për të shkaktuar destabilitet.
Për kreun e shtetit, vende me interesa jo miqësore ndaj Shqipërisë, nëpërmjet instrumenteve të ndryshëm janë përpjekur të zgjerojnë influencën dhe të frenojnë proceset integruese euro-atlantike të vendit.