Ka përfunduar protesta e dytë për vrasjen e 7-vjeçares Jonada Avdia.
Gjatë protestës, është kërkuar dorëheqja e Ministrit të Brendshëm dhe Ministres së Turizmit. Protestuesit kanë vendosur që lufta apo përpjekja të kryhet përmes një peticioni që do të zhvillohet në të gjithë Shqipërisë.
Në dy protestat e zhvilluara nuk ka pasur asnjë reagim nga kryeministri Edi Rama lidhur me shkarkimin e Bledit Çuçit dhe Mirela Kumbaros.
Protesta ka zgjatur për rreth një orë e 45 minuta, ndërsa nuk u regjistrua asnjë incident.
Në këtë protestë munguan Sali Berisha dhe Ilir Meta, liderët e dy forcave politike Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë.
Ilirjana Kuçana, pedagoge, e afërme e 7-vjeçares telefonoi live kryeministrin Edi Rama për t’i parashtruar kërkesat e protestuesve, por ai nuk u përgjigj. Ajo lajmëroi nisjen e një peticioni online dhe fizik për t’i kërkuar kryeministrit të shkarkojë ministrat e tij.
“Do të vazhdohet të kërkohet drejtësi për Jonadën në institucionet ndërkombëtare. Do të ndërmarrim një peticion online dhe fizikisht duke i kërkuar kryeministrit të shkarkojë ministrat Çuçi dhe Kumbaro. Këtë e bëjmë për Jonadat e tjera. A duhet të mbajë dikush përgjegjësi për çdo njeri që vritet nga uniformat e shtetit, nga kryeministri”, tha Kuçana.
Më 2 gusht, ish-shefi i Komisariatit të Himarës, Arjan Tase përplasi për vdekje 7-vjeçaren Avdia, teksa kryente manovra të rrezikshme me skaf në plazhin e Potamit në Himarë.
Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për ish-efektivin Arjan Tase.