Aktualitet Motra e Ornelës thyen heshtjen: E vrau Florindi bashkë me fëmijën që...

Motra e Ornelës thyen heshtjen: E vrau Florindi bashkë me fëmijën që do të lindte pas disa muajsh

Vetëvrasja e çiftit shqiptar, Florind dhe Ornela Belliu në New York të ShBA-së ka tronditur opinionin publik. Ata u hodhën nga kati i 6 i pallati ku jetonin dhe lanë pas dy fëmijë të mitur jetimë, teksa ata ishin në pritje dhe të një fëmije të tretë.

Së fundmi, ka ardhur një reagim nga motra e Ornelës, Migena, e cila zbulon të shkuarën e vështirë dhe sakrificat e motrës së saj të ndjerë, për të cilën thotë se nuk e braktisi kurrë Florindin, edhe pse ia kishte bërë jetën e vështirë prej vitesh.

Në një postim në rrjetet sociale, ajo e akuzon Florind Belliun si vrasësin e motrës së saj dhe tregon për një kohë të gjatë ai kishte qëndruar i izoluar në një klinikë psikiatrike dhe nuk kishte patur përmirësim.

Sipas saj, Ornela i çonte ushqim çdo ditë Florindit në klinikën psikiatrike, veprim që u kishte bërë përshtypje edhe punonjësve amerikanë, të cilët e quanin “një engjëll” pasi ishte e vetmja që tregonte aq shumë përkushtim.

28-vjeçarja kishte firmosur që Florindi të dilte nga klinika edhe për hir të fëmijëve të vegjël që kërkonin të atin, pavarësisht se mjekët i thanë që nuk kishte përmirësim dhe pa e ditur se e priste fati tragjik.

Reagimi i plotë i motrës së Ornelës:

E kam shumë të vështirë të flas në këto momente, pasi unë, motra e Ornelës dhe e gjithë familja jonë jemi tejet të pikëlluar nga humbja e parakohshme e motrës sonë të dashur, por nuk mund të rri pa shkruar dy fjalë për motrën time, për engjëllin tonë, që e donte aq shumë jetën, që rrezatonte mirësi dhe e donte i gjithë komuniteti në zonën ku jetonte në Nju Jork. Vë re me keqardhje që të gjithë portalet janë mbushur me fjalë të ndjera për humbjen e jetës së Florind Belliut, personit që vrau jo vetëm motrën tonë, por edhe fëmijën që do të lindte pas disa muajsh dhe asnjë fjalë keqardhjeje nuk kanë denjuar të shkruajnë për motrën tonë, e cila punonte dhe rriste pothuajse e vetme dy fëmijë të mitur, pasi ai që i mori jetën në mënyrën më makabre kishte kohë, vite që vuante nga çrregullime mendore, kishte kohë që ia kishte bërë jetën të vështirë motrës tonë…por Ornela ishte aq e mirë dhe e dhimbsur saqë shkonte e vizitonte çdo ditë në klinikën psikiatrike ku ishte i izoluar atë që do t’i merrte jetën në mënyrën më kriminale…i dërgonte ushqim siç dëshironte Flori, saqë punonjësit e klinikës e kishin pagëzuar Ornelën “ëngjëll”, pasi ishte e vetmja që shkonte çdo ditë në klinikë…Mjekët e klinikës në Nju Jork e kishin paralajmëruar Ornelën që bashkëshorti i saj kishte ende nevojë për kurim, pasi nuk kishte përmirësim, por Ornela edhe për hatër të dy djemve të vegjël që kërkonin babin, kishte firmosur për ta sjellë Florindin në shtëpi, pa pandehur se ai do t’ia merrte jetën asaj dhe foshnjës që mbante në bark, pa u shqetësuar për të ardhmen e dy fëmijëve të mitur.

Falenderoj me zemër të gjithë ata që kanë shkruar fjalë të mira, të ndjera për engjëllin tonë- Ornelën!