A duhet të ndani shtëpinë me një mace, të qëndroni beqar, të hiqni dorë nga Facebook-u ose të bëheni vegjetarian?
Apo jeni më shumë tipi që pëlqen qentë, një vilë në fshat, familje të madhe dhe profil social aktiv?
Ja se çfarë thotë shkenca mbi disa vendime (të vogla) të mëdha në jetë.
Qen apo mace?
I pari u urtësua përpara lindjes së agrikulturës: mbijetesa e tij lidhej dhe lidhet ende me prezencën tonë. I dyti është mik i njerëzimit qysh nga shpikja e bujqësisë: mbronte shtëpinë dhe hambarët prej minjve dhe insekteve të tjera dhe për këtë ai është i lidhur me shtëpinë në kuptimin fizik. Të dy kanë aftësi të mahnitshme njohëse dhe aftësitë sociale. Sigurisht, prania e të dyve është e dobishme për shëndetin fizik dhe mendor. Kush ka një kafshë shtëpiake ka marrëdhënie shoqërore më solide dhe sjellje më altruiste. Ndërsa fëmijët që rriten pranë një qeni janë më të mbrojtur ndaj infeksioneve.
Beqar apo në çift?
Shpesh nuk jemi ne që zgjedhim, por për të dyja situatat ekzistojnë pro dhe kundër nga këndvështrimi shkencor. Studime të shumta kanë treguar se të qenët të martuar do të thotë të qenët më pak të rrezikuar nga zhvillimi i sëmundjeve kardiovaskulare, diabeti dhe problemet e frymëmarrjes (kjo vlen sidomos për meshkujt). Një situatë më e mirë ekonomike le të themi prej rrogës së dy partnerëve mund të garantojë një përballim më të kënaqshëm dhe mbështetës për të ardhmen. Në të njëjtën kohë marrëdhëniet stresuese lidhen me një rrezik më të madh të problemeve kardiovaskulare; të qenët çift sjell shëndoshjen sepse gatuhet më shumë dhe bëhen më pak lëvizje; ndërsa kush është beqar, ka një punë të mirë dhe rrethohet nga miq të shumtë i mungon pjesa e jetës private ajo më e sinqerta. Kështu që shkenca në këtë rast nuk bën një diferencim mes njërës apo tjetrës situatë.
Po apo jo fëmijë?
Edhe në këtë rast, jo gjithmonë është një vendim të cilin mund ta marrim plotësisht ne. Por nëse do të flisnim në mënyrë shkencore, janë më të lumtur çiftet me apo pa fëmijë? Sipas një studimi nga Universiteti Open (Britani), lidhjet më të lumtura janë çuditërisht ato pa fëmijë. Çiftet pa të vegjlit evitojnë terrenet e tensioneve dhe kanë më shumë kohë për t’iu dedikuar interesave të përbashkëta. Ndërkohë nëse partnerët do të merreshin të shqyrtuar veç e veç për këtë aspekt, shkenca thotë se femrat me fëmijë janë më të lumtura sesa meshkujt me fëmijë. Këta të fundit kërkojnë një jetë më të kënaqshme seksuale.
Vegjetarian apo mishngrënës?
Nuk ka asnjë dyshim se cila është zgjidhja më e mirë nga këndvështrimi mjedisor: të qenët vegjetarian. Për sa i përket shëndetit, studime të shumta e lidhin konsumimin e një sasie të madhe të mishit të kuq me rrezikun nga kanceri. Por e njëjta gjë nuk vlen për mishin e bardhë ose për peshkun. Një zgjidhje e mesme e mundshme është që të reduktoni konsumimin e mishit të kuq me yndyrë dhe të preferoni atë të bardhin ose peshqit; ose ndoshta të bëheni vegjetarian për të paktën një ditë në javë.
Shpenzimi apo kursimi?
A e bëjnë vërtet paratë lumturinë? Një studim i Universitetit Princeton, i kryer nga Daniel Kahneman, thotë se po, niveli i lumturisë rritet prej rritjes së parave. Por pas një limiti prej 60 mijë eurosh në muaj, në vend të lumturisë rritet niveli i stresit dhe i trishtimit. Një studim kanadez ka treguar se shpenzimi për të tjerët garanton një lumturi më të madhe sesa ajo e të shpenzuarit për veten. Gjithsesi ajo çka është e rëndësishme sipas shkencës ka të bëjë me faktin se shpenzimi për kohë dhe eksperienca të bukura është më i kënaqshëm sesa shpenzimi për objekte materiale.
Qyteti apo fshati?
Si një park qyteti ashtu edhe një fushë me pemë në fshat i bënë shumë mirë mirëqenies së njerëzve. Shumë studime kanë treguar se në marrëdhënie me natyrën mirëqenia psikike dhe fizike bëhet më e madhe. Kushdo që jeton në qytet është më i prirur drejt ankthit dhe humorit të keq, por ka një tru i cili toleron më mirë stresin. Mund të jetë subjekt ndaj sëmundjeve të mushkërisë, por ka në dispozicion stimuj njohës më të mëdhenj dhe më shumë situata për të paguar jetën e tij sociale. Por nga pikëpamja mjedisore, krahasimi i qytetit dhe i fshatit është më se i qartë!
Me apo pa rrjetet sociale?
Nga një anë, pasja e profileve sociale, ka të mira, duke qenë se qëndrojmë të lidhur në kontakt me miqtë e largët dhe lajmërohemi mbi ngjarjet. Por nga ana tjetër, rrjetet sociale mund t’ju mbyllin në vetvete, mund t’ju bëjnë vetmitar dhe disi pa vetëbesim duke qenë se të tjerët gjithmonë postojnë gjëra pozitive. Për më tepër ato mund të shkaktojnë te pjesa më e madhe e përdoruesve ndjenjën narciste. E mira është që të mos bëheni shumë pjesë e tyre.