Këto janë disa nga fotot e nxjerra nga kamerat e sigurisë në gjurmimin që Prokuroria e Posaçme i ka bërë makinës së autorëve të vrasjes së Fatbardh Licit në Gusht të 2018-ës.
Itinerari i saj, karakteristikat fizike të makinës, ndërrimi që sipas SPAK ka bërë Safet Bajri dhe Asmter Bilali, të mjetit me të cilin janë nisur nga Tirana për në Shkodër me atë që kryen vrasjen, sipas Prokurorisë shkojnë në harmoni edhe me disa përgjime që janë kryer në ato kohë.
Në vendimin e masës, SPAK thotë se Safet Bajri dhe Astmer Bilali janë nisur nga Tirana mëngjesin e datës 10 Gusht herët dhe është konfirmuar që në orën 6 e 11 minuta kanë qenë në Lezhë.
Bashkë me ta, hetuesit sqarojnë se ka qenë e pranishme edhe Eria Ago, në atë kohë e dashura e Safet Bajrit, tashmë e arrestuar prej disa ditësh. Ata kanë mbërritur në Shkodër dhe kanë marrë një makinë ngjyrë gri, me të cilën kryen krimin dhe kanë shkuar për në lagjen Kiras, në lokalin ku ishte viktima.
Pas ngjarjes, SPAK thotë se ka dokumentuar që ata kanë shkuar në zonën e njohur si Dobraç dhe pranë një lokali që njihet si i familjes Bajri, i hetuari Safet Bajri ka zbritur dhe është larguar, ndërsa Astmer Bilali, ka djegur makinën.
Më pas Bilali, i cili ka kryer ekzekutimin, flet në telefon me Eria Agon për vendin e takimit, nga ku të dy nisen për në Tiranë dhe më pas për në Vlorë. Mjeti i përdorur nga Ago sipas disa vëzhgimeve në terren të bëra nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda, ishte e Safet Bajrit.
Nga ana tjetër, të gjithë të hetuarit, por edhe Ibrahim Lici, ky i fundit i akuzuar nga Behar Bajri si organizator i vrasjes së mikut të tij Boran Bërçana dhe partneren e tij Silvi Ndoci, ishin në përgjim. Këto komunikime tregojnë se si Behar Bajri ka futur në konflikt Licin me Bilalin, konflikt që është pasuar me ekzekutimin e Fatbardh Licit./Tv Klan