Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela ka reaguar pas publikimit të audio-përgjimeve të tjera nga gazeta gjermane, Bild, duke ngritur dyshime mbi autenticitetin e materialeve.
“Po bëhet verifikimi me shpejtësi i të gjitha akteve hetimore dhe të CD-ve të përgjimeve me qëllim verifikimin e autenticitetit të audiove të publikuara”, thuhet në reagimin e Prelës.
Për përgjimet që i përkasin dosjeve 339 dhe 184, Donika Prela thotë: “Nisur nga publikimet audio të bëra sot më datë 17.06.2019 në gazetën gjermane Bild, Prokuroria e Krimeve të Rënda njofton se ka filluar veprimet hetimore për verifikimin e elementëve të veprës penale të “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” të parashikuar nga neni 295/a i K.Penal.”
Në fund të reagimit, Donika Prela thekson se publikimi i këtyre materialeve ka cënuar rëndë imazhin e Prokurorisë Shqiptare.
“Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron, se po ndjek me kujdes situatën e paprecedent të krijuar që ka cënuar rëndë imazhin e Prokurorisë Shqiptare dhe që është kryer në shkelje flagrante të ligjit”, shprehet Prela.