Kamza është përjashtuar nga Kategoria Superiore dhe nga kupa pas ngjarjeve të tmerrshme të fundjavës së shkuar, ku drejtuesit e klubit kamzali sulmuan në mënyrë barbare arbitrin Eldorian Hamiti pas përfundimit të ndeshjes Kamza-Laçi.
Tashmë Kamza mund të apelojë në FSHF, ku me shumë gjasa nuk do të marrë asnjë skonto, ndërsa apeli në UEFA e CAS është një histori shumë e gjatë, që do të hajë shumë kohë, ndaj Kamza nuk ka shpresa.
Tashmë bëhen llogaritë dhe është e qartë që në Superiore ndryshojnë shumë gjëra, sepse sipas rregullores, rezultatet e deritanishme mbeten në fuqi, ndërsa tani e tutje çdo ndeshje jepet 3-0 në tavolinë, në favor të ekipit kundërshtar të Kamzës.
Në këtë aspekt, Flamurtari, Luftëtari dhe Skënderbeu janë me fat (korçarët kalojnë edhe në gjysmëfinalet e Kupës pa luajtur fare), sepse u mbeteshin dy ndeshje ndaj Kamzës në kampionat dhe do t’i fitojnë në tavolinë, pa luajtur fare.
Ndërkaq, më të penalizuarit janë Teuta e Laçi, që lanë pikë në fazën e tretë në përballjet kundër Kamzës. Një lajm i hidhur edhe për Kastriotin, sepse në këtë mënyrë Luftëtari rival merr 6 pikë pa luajtur fare, duke hedhur një hap gjigant përpara.