Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, shpalli listën e klubit për ndeshjet e Champions League, ndërsa tekniku përjashtoi dy emra “big” te torinezët. Emre Can dhe Mario Mandzukic nuk janë pjesë e listës, ndërsa mesfushori i kombëtares gjermane ka folur për Bild në lidhje me një situatë të tillë.
Mesfushori gjerman konfirmon se emri i tij ka qenë në qendër të disa negociatave të merkatos dhe një nga kushtet për të qëndruar, referuar fjalëve të tij, të raportuara nga mediat gjermane, ishte premtimi i përfshirjes në listën e Championsit. “Në vend të kësaj, dje mora një telefonatë, e cila nuk zgjati as një minutë, ku më thanë që kisha mbetur jashtë”, – thotë Emre Can, i ardhur si lojtar i lirë te bardhezinjtë. Ai nuk mund të japë një shpjegim për zgjedhjen e trajnerit Sarri: “Do të marr vendimet e mia dhe do të flas me klubin, pasi të rikthehem nga grumbullimi me Gjermaninë. Kam folur dhe mu premtua diçka tjetër nga klubi javën e kaluar. PSG donte të më merrte, por vendosa të qëndroj te Juventusi. Kushti ishte që do të isha në Champions League“.