Presidenti amerikan Donald Trump tha se pezullimi dhe bllokimi i llogarive të tij nga rrjetet sociale, si Facebook, Instagram dhe Twitter, është një gabim i madh që do të ketë pasoja.
“Mendoj që kompanitë e mëdha të teknologjisë po i bëjnë një dëm të madh vendit tonë. Mendoj se do të jetë një gabim katastrofik për ta. E kisha parashikuar, por njerëzit nuk e vepruan. Kjo shkakton shumë probleme dhe shumë rrezik. Gabim i madh, nuk duhet ta bëjnë. Por ka gjithmonë një kundërpërgjigje dhe nuk kam parë kurrë kaq shumë inat sesa tani. Dhuna duhet shmangur gjithmonë”, tha presidenti ndërsa po nisej për një prej udhëtimeve të fundit në Air Force 1.
I pyetur nëse mbante përgjegjësi për atë që ndodhi në godinën e Kongresit më 6 janar, Trump u përgjigj: “Fjalimi im është vlerësuar në media. Njerëzit menduan që ajo që unë thashë ishte e pranueshme, ndërkohë që ajo që të tjerët kanë thënë gjatë protestave në qytete të tjera dhe ato kanë qenë problematike”.
Ai dënoi përpjekjet e demokratëve për ta shkarkuar dhe e quajti “vijimin e gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e politikës”.