Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar këtë të premte 19-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nëpërmjet një mesazhi në “Facebook”, kreu i shtetit shkruan se Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimin e saj përkrah SHBA dhe NATO në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
“Në krah të popullit amerikan, përkujtojmë sot viktimat e pafajshme të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe solidarizohemi me familjet e tyre! Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë dhe rajonin tonë. Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në vlerat e tyre të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë, dhe në përpjekjen për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, fondamentalizmi fetar dhe autoritarizmi”, shkruan Meta.
Për shkak të koronavirusit, Memoriali dhe Muzeu Kombëtar i 11 shtatorit në New York e anuluan traditën e tubimit të të afërmve të viktimave, që lexojnë me zë emrat e viktimave.