Venecia vijon të mbetet nën pushtetin e ujit, por kjo situatë nuk ka dëmtuar turizmin.
Persona të shumtë shkrepën fotografi ndërsa vizituan sheshin e përmbytur të Shën Markos, disa ditë pasi uji vërshoi në bazilikën e tij dhe objekte të tjera historike.
Në sheshin kryesor të Venecias, të cilësuar si dhoma e ndjenjes e Europës, niveli i ujit arriti mbi një metër, ndërsa Bazilika e Shën Markos u përmbyt për herë të 6 në 1200 vite ekzistencë, e katërta në 20 vitet e fundit.
Mbi 80% e qytetit historik italian u gjend nën ujë për shkak të nivelit rekord të detit që u rrit nga reshjet e dendura të shiut dhe stuhitë e forta. Një barrierë kundër përmbytjeve e projektuar në vitin 1984 për të mbrojtur Venecian nga valët e larta, e njohur me emërtimin Moisiu, mbeti pa përfunduar për shkak të korrupsionit dhe shtyrjeve të vazhdueshme.
Kryeministri Giuseppe Conte, që vizitoi qytetin, tha se kjo duhet të përfundojë sa më shpejt: “Ky nivel i lartë uji shkaktoi dëme të shumta. Patëm një mbledhje teknike për operacionet e shpëtimit dhe diskutuam ndërhyrjet në shërbimin e rikonstruktimit. Shpresojmë që mos të kemi emergjenca të tilla”.
Emri i barrierës kundër përmbytjeve në Venecia, Moisi, është akronim për emërtimin Modul Eksperimental Elektromekanik, ndërsa i referohet edhe figurës biblike të Moisiut që ndau Detin e Kuq në mes për të lejuar rrugëtimin e sigurtë të izraelitëve nga Egjipti.