Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzon qeverinë për përmbytjet në Qarkun e Shkodrës.
Kryedemokrati, pasi vizitoi zonat e përmbytura në Shkodër, mbajti një konferencë për shtyp me gazetarët, ku tha se shkak i përmbytjeve është keqadministrimi i Kaskadës së Drinit.
Sipas tij, në kaskadë nuk prodhohej energji, por thotë se qeveria ka blerë energji me 226 Euro megavatin.
“Kjo u krijua kryekëput nga keqadministrimi i kaskadës absolutisht të diktuar nga vjedhja qeveritare. Çfarë ka ndodhur? Gjatë këtyre ditëve, Edi Rama dhe ministrja e tij Balluku nuk kanë prodhuar energji, por kanë blerë energji me 226 Euro megavatin në bursë. Në një kohë kur energjia e kontraktuar 10 milionë Euro mund të prodhohej pa asnjë lloj kufizimi, pasoje në kaskadën e Drinit. Sot Edi Rama fajin e gjen tek mediat dhe opozita për vjedhjen dhe katastrofën që krijoi vetë”.
Sipas Berishës, situata për motin me reshje të dendura ishte paralajmëruar, jo vetëm nga Instituti i Gjeoshkencës në Shqipëri, por edhe nga meteorologë italianë.
“Pse them unë që është dora e robit hajdut? Sepse 1 javë më parë Instituti i Gjeoshkencës i ka dërguar në zyrat e vendimmarrjes kryesore sinoptikën me përpikmëri të madhe duke informuar se do ketë reshje të fuqishme në Alpe dhe se duhet të merren masa. Por përveç Gjeshkencës, do më lejoni t’ju lexoj çfarë thotë Meteo Web i Italisë pikërisht për Shqipërinë.
“Kujdes për fenomene ekstreme në Shqipëri ku do ketë stuhi shumë të furishme me mundësi përmbytje në darkë dhe pasdite”.
Këtyre u duheshin të vidhnin me blerje ndaj dhe gjoja po kursejmë energji. E vërteta është që kanë shkarkuar pa prodhim, kanë ndërprerë prodhimin e energjisë sepse duhet të justifikonin blerjen e energjisë”, u shpreh Sali Berisha.