Helmi i bolsonarizmit në zemrat dhe mendjet e brazilianëve po jep efektin e vet në shoqërinë e këtij vendi me përpjekjen për puç, është i mendimit, Philipp Lichterbeck.
Dëmet materiale pas dhunës së fanatikëve të ish-presidentit, Jail Bolsonaro duhet të kapë miliona, të cilat duhet të paguhen nga taksapaguesit brazilianë. Turma që të dielën për disa orë me radhë vërshoi në zonën qeveritare mundi të bënte trazira pa u shqetësuar, të thyente xhama dhe shkatërronte, të hidhte tutje vepra arti, të urinonte në objekte dhe të flakte pajisje elektronike si printera, kompjutera, mikrovalë televizorë. Kongresi brazilian, Gjykata e Lartë dhe presidenca janë dëmtuar rëndë. Por shumë më i madh është dëmi që i është bërë demokracisë së Brazilit dhe psikikës kolektive të vendit. Një pakicë fanatike dhe e dhunshme kryen vepra penale pa ndalur dhe para kamerave. Në një kohë që mediat liberale përgjegjësit i emërtojnë qartë si “golpistas, criminosos, terroristas” – puçistë, kriminelë, terroristë, mediat e tjera ende i servilosen bolsonarizmit. Këtu bëhet fjalë për kuota spektatorësh, klike, likes dhe sigurisht për shumë para.
Helmi i bolsonarizmit
Zëdhënësi më i njohur i bolsonarizmit, televizioni Jovem Pan duhej të bënte akrobaci të mëdha gjuhësore që t’i deklaronte kriminelët në Brazilia si qytetarë të shqetësuar. Aty u fol për “popullin” që tregoi vullnetin e tij. Sikur populli nuk e tregoi vullnetin e tij me zgjedhjen e Lula da Silvas si president. Udhërrëfyesi dhe mik i Jair Bolsonaros, gjykatësi, Sergio Moro duke e minimizuar dhunën bëri fjalë për “ndërhyrës” që “duhet të tërhiqen”. Ishte Moro që në vitin 2017 e dënoi Lulan për korrupsion dhe larje parash me 9 vjet e gjysmë burg. Katër vite më vonë Gjykata e Lartë e shfuqizoi dënimin me argumentin se Moro kishte qenë i njëanshëm.
Blogeri në arrati, Allan dos Santos ndaj të cilit nga tetori 2021 ekziston një urdhërarresti për shkak të përhapjes së informacioneve të rreme dhe antidemokratike, i bëri thirrje nga ekzili në SHBA rangjeve të ulta të ushtrisë dhe aparatit policor për të refuzuar urdhrin dhe me këtë duke bërë thirrje të hapur për puç. Dos Santos është shembull i qartë si mund të bësh shumë para duke përhapur informacione të rreme. Ai është një nga ata që përhap rregullisht helmin bolsonarist të gënjeshtrave dhe gjysmë të vërtetave, vetëbindjes së pareflektuar, çmendurisë pseudo-fetare, intolerancës, injorancës, arrogancës, dhunës dhe thjesht budallallëkun në mendjet dhe zemrat e miliona brazilianëve. Ky helm ka kontaminuar jo pak anëtarë të forcave të sigurisë, siç u kuptua më së voni në fundjavën e kaluar në Brazilia. Një zhvillim i rrezikshëm.
Mohuesit radikalë të realitetit të hiqen nga qarkullimi
Me bolsonarizmin është krijuar në Brazil një lëvizje ekstreme e djathtë, anëtarët e së cilës e mbajnë veten për shpëtimtarë të atdheut, pa i pyetur njëherë brazilianët e tjerë për këtë. Ata mbrojnë, sipas të dhënave të veta, nderin, të vërtetën dhe lirinë kundër komunistëve, pa ditur, se çfarë do të thotë komunizëm. Duket e pamundur t’i kthesh këta njerëz në realitet. Ata u furnizuan dhe u nxitën me informacione të rreme prej katër vjetësh nga ish-presidenti Bolsonaro, pastorët evangelikalë, media ultra të djathta si televizioni Jovem Pan, influencues antidemokratë si Allan dos Santos dhe prodhues të tjerë gënjeshtrash.
Ata besojnë, se ofrojnë një protestë legjitime kundër një qeverie ilegjitime. Ata flasin gjithnjë e më shpesh për një “luftë civile të nevojshme”. Mësymja e qendrës së pushtetit në Brazil është sinjal paralajmërimi. Ka sot grupe tejet të radikalizura në Brazil, që financohen nga biznesmenë dhe mbështeten nga ana logjistike,që janë të gatshëm për terror dhe gëzojnë një lloj mirëkuptimi dhe mbështetjeje në aparatin e sigurisë. Për shkak se do të jetë shumë e vështirë t’ua mësosh këtyre sërish rregullat civile, demokratike, ata për këtë moment duhet të hiqen nga qarkullimi dhe të ndëshkohen. Për të mirën dhe sigurinë e qytetarëve që respektojnë ligjin./DW