Vrasja e Alexey Navalnyt është ndoshta rezultati përfundimtar i një sërë pavendosmërish dhe një konflikti serioz të brendshëm në Kremlin midis “teknokratëve” që u përpoqën në mënyra të ndryshme të punonin në një shkëmbim të disidentit më të famshëm rus dhe “skifterëve”, një pjesë e madhe silovikë-ve, njerëz të aparatit, të cilët më në fund e bindën Vladimir Putinin që të vazhdonte me likuidimin e “pacientit të Berlinit” – siç e quajti ai Navalnyn pa e përmendur emrin e tij, në kohën kur ai po trajtohej në Gjermani nga helmimi i parë në gusht të vitit 2020, me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Angela Merkel.
Putini, kur duhet të zgjedhë mes mendimit të Roman Abramovich dhe atij të Nikolai Patrushev (kreut të fuqishëm të të gjitha shërbimeve sekrete ruse), zgjedh gjithmonë këtë të fundit, që për të është KGB-ja.
Dje ekipi i Navalny-t zbuloi një detaj të bujshëm për ditët e fundit të tij: në mëngjesin e 15 shkurtit ata morën konfirmimin se kishte një marrëveshje në parim për të shkëmbyer Navalny-n, plus dy shtetas amerikanë, për Vadim Krasikov, një agjent i FSB-së që po vuan dënimin e përjetshëm në Gjermani për vrasjen në mes të ditës, duke e qëlluar nga afër në parkun Tiergarten, në Berlin – mes familjeve dhe berlinezëve vrapues – një komandant rebel çeçeno-gjeorgjian që kishte luftuar kundër Rusisë në vitin 2000, Zelimkhan Khangoshvili.
Në “intervistën” e famshme me Tucker Carlson, Putin kishte shpjeguar tashmë se si e shikonte Krasikov. “Nuk ka kuptim të mbash në burg një person që, për patriotizëm, vrau një bandit në një nga kryeqytetet evropiane”, ka argumentuar diktatori rus.
Negociatat zgjatën dy vjet, ndoshta do të kishin marrë shumë më pak, por kështu ndodhi, thotë Pevchikh, dhe në mëngjesin e datës 15 ekipi mori konfirmimin e shkëmbimit. Më 16 shkurt, Navalny vdiq.
I vrarë.
Propozimi për shkëmbimin e Navalnyt iu dorëzua Putinit nga oligarku Roman Abramovich. Dhe këtu hyjmë në historinë shqetësuese të vrasjes së Navalnyt.
“Putinit iu tha qartë”, ka shpjeguar Pevchikh. “E vetmja mënyrë për të marrë Krasikov është ta shkëmbeni atë me Navalnyn”.
“Oh, po, duhet të ketë menduar Putin. Nuk do ta toleroj Navalnyn të lirë. Dhe meqenëse ata janë të gatshëm të shkëmbejnë Krasikov në parim, ne thjesht duhet të eliminojmë temën e pazareve”.
Putin e gjeti veten në një pozicion të rremë, i cili megjithatë shënoi përfundimisht fatin e Navalnyt. Nga njëra anë, ai donte shumë të kthehej Krasikov, ua kishte bërë të ditur amerikanëve për muaj të tërë. Nga ana tjetër, ai absolutisht nuk donte të linte Navalnyn, liderin e opozitës që ia kishte frikën gjithmonë e më shumë, një politikan i gjithanshëm dhe vetëm pak ditë larg zgjedhjeve presidenciale.
Uashingtoni në parim, shpjegon një burim i inteligjencës perëndimore, po punonte të paktën fillimisht për të rikthyer Evan Gershkovich, gazetarin e Ëall Street Journal të arrestuar nga Putin me akuza të rreme për spiunazh dhe ish-marinsin Paul Ëhelan, gjithashtu në burg në Rusi i akuzuar për spiunazh.
Por ishte e mundur që të përfshihej në lojë edhe Navalny – edhe pse ai ishte shtetas rus, jo amerikan – sepse ekziston mundësia e shkëmbimeve ndërkombëtare “humanitare”, përfshirë edhe drejt vendeve të treta.
Pikërisht kur negociatat po fillonin, Putin vazhdoi të shkatërronte Navalnyn. Dhjetor 2023, pas muajsh e muajsh vonesa burokratike, plani i shkëmbimeve vihet në zbatim. Më 6 dhjetor 2023, avokatët nuk lejohen më të shohin Navalny-n, i cili ndodhet në koloninë penale numër 6 në Melikhovo, rajoni Vladimir. Më 11 dhjetor u njoftuan se ai ishte transferuar. Përtej Rrethit Arktik, te kolonia Ujku Polar. Arkipelagu i Putin.
Abbas Gallyamov, ish-shkruesi i fjalimeve të Putinit në vitet e tij të para në Kremlin, ka shpjeguar se “nuk mund të përjashtohet që Putin, duke vendosur për fatin e Navalnyt, i dha dritën jeshile realizimit të njëkohshëm të dy skenarëve”.
Autoritetet nuk kishin një skenar të rastit më të mirë; iu desh të zgjidhnin mes disa skenarëve të pafavorshëm, ndaj kreu i shtetit hezitoi.
Në disa momente ai dëgjonte pjesën e moderuar të aparatit të tij, në disa momente anonte nga këndvështrimi i ‘skifterëve’.
Në fund, “ai e lejoi veten të bindet nga skifterët që argumentojnë se nuk është e nevojshme të merret parasysh mendimi i Perëndimit në një situatë ku ai është i paaftë për gjithçka, dhe të durohen me veprimet e opozitarëve në një situatë ku një numër i madh qytetarësh presin vetëm një arsye për të mos dalë më në rrugë”.
Por tani funerali është afër. Mund të ndodhë më 29 shkurt, pikërisht kur Putini do t’i paraqesë Asamblesë Federale mesazhin e tij elektoral.
Navalny do ta ndjekë atë edhe në vdekje.
/La Stampa