Policia e Shtetit ka njoftuar Partinë Demokratike se nuk do të lejojë që protesta të zhvillohet edhe te lulishtja te “Piramida” dhe rruga “Ismail Qemali”, në dy rrugicat që rrethojnë godinën e Kryeministrisë.
Në një letër drejtuar selisë blu, demokratëve u kërkohet që protesta të zhvillohet përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin përpara Kryeministrisë, pasi në dy anët e godinës qëndrojnë forcat e policisë për të garantuar sigurinë.
Por, Partia Demokratike ka reaguar menjëherë, duke deklaruar se policia nuk ka asnjë autoritet ligjor për të vendosur vendin e zhvillimit të protestës.
PD, me anë të një deklarate të saj shprehet se “nuk pret leje nga Policia e Shtetit për zhvillimin e tubimit, sepse ajo është një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe qytetarëve”.
Qëndrimi i PD-së, thuhet në deklaratë, i është bërë i njohur zyrtarisht Policisë së Shtetit, duke i kujtuar se ka përgjegjësi ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, në vendet e njoftuara prej saj.
“Partia Demokratike i kujtojn policisë ligjin, i cili parashikon të njoftojë dhe jo kërkesën për leje”.
Sipas PD-së, Policia e Shtetit po vepron nën urdhrat politikë të Edi Ramës, që i frikësohet bashkimit popullor. Por, PD-ja garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat për sigurinë e protestuesve dhe ushtrimin prej tyre në mënyrë të ligjshme dhe pa asnjë pengesë.