Bota Përplasje e ashpër Uashington-Moskë/ Biden: Putin nuk mund të qëndrojë më në...

Përplasje e ashpër Uashington-Moskë/ Biden: Putin nuk mund të qëndrojë më në pushtet. Reagon Kremlin

Në skenarin impresionues të ish-pallatit mbretëror të Varshavës, presidenti amerikan Joe Biden ka dhënë një nga fjalimet më të forta dhe të drejtpërdrejta kundër homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka mbajtur, një fjalim historik në Varshavë ku ka folur për luftën në Ukrainë.

Në skenarin impresionues të ish-pallatit mbretëror të Varshavës, Joe Biden ka dhënë një nga fjalimet më të forta dhe të drejtpërdrejta kundër homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Biden i është drejtuar popullit rus, duke thënë se ka punuar me udhëheqës rusë për dekada që nga Lufta e Ftohtë.

“Kam folur gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe sinqerisht me ju, popullin rus. Më lejoni të them këtë nëse jeni në gjendje të dëgjoni. Ju, populli rus, nuk jeni armiku ynë. Refuzoj të besoj se keni mirëpritur vrasjen e fëmijëve dhe gjyshërve të pafajshëm. Apo që ju të pranoni shkatërrimin e spitaleve, shkollave, materniteteve. Ose qytetet janë të rrethuara në mënyrë që civilët të mos mund të ikin, furnizimet janë ndërprerë dhe përpjekjet për të vrarë ukrainasit. Miliona familje po largohen nga shtëpitë e tyre. Këto nuk janë veprime të një kombi të madh”, tha ai.

Biden iu drejtua popullit rus, duke kërkuar që ta hidhnin poshtë liderin e tyre prej më shumëse dy dekadash.

“Kjo nuk është ajo që ju përfaqësoni. Kjo nuk është e ardhmja e fëmijëve tuaj, kjo luftë nuk ia vlen vërtetë për popullin rus”.

Biden e mbylli fjalimin duke folur në lidhje me Vladimir Putin. “Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”, tha ai.

Nuk vonoi përgjigjja e Kremlinit: “Fyerjet e reja të Biden drejt Putinit mbyllin akoma më shumë dritaren për të rregulluar raportet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”. “Është e çuditshme të dëgjosh akuza drejt Putin nga Biden që bombardoi Jugosllavinë dhe vrau njerëz”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cituar nga Tass. “Nuk është diçka që e vendos Biden. Është vetëm një zgjedhje e qytetarëve rusë se kush duhet të jetë president i Rusisë”, tha më tej zëdhënësi Kremlinit duke komentuar fjalët e Joe Biden, sipas të cilit Vladimir Putin nuk mund të qëndrojë më në pushtet. Dhe lidhur me këto afirmime, Shtëpia e Bardhë saktësoi se Biden “nuk po fliste për një ndryshim regjimi në Rusi”.

Në fjalimin e tij, ndër të tjera, Biden tha se Ukraina dhe populli i saj po lufton për të shpëtuar kombin e vet.

“Duhet të jemi të qartë, kjo betejë nuk do të fitohet as me ditë, as me muaj. Ne duhet të forcojmë veten për luftën e gjatë përpara”, mësohet të jetë shprehur Biden.

“Mesazhi im për popullin e Ukrainës. Ne jemi me ju, pikë”, tha ai.

Biden është shprehur se betejat e ditës së sotme në Kiev, Mariupol dhe Kharkiv, janë betejat e fundit të një përpjekjeje të gjatë.

“Hungaria në vitin 1956, Polonia në vitin 1956 dhe në vitin 1981, Çekia në vitin 1968, tanket sovjetike shtypën kryengritjet demokratiket, por rezistenca vazhdoi deri në vitin 1989, muri i Berlinit dhe të gjithë muret e dominimit sovjetik ranë dhe prevaluan njerëzit. Beteja për demokraci nuk përfundoi me fundin e Luftës së Ftohtë”, tha Biden.

Sipas Biden, gjatë 30 viteve të fundit forcat autokrate janë ringjallur kudo nëpër botë.

“Përbuzje për shtetin ligjor, përbuzje për lirinë demokratike, përbuzje për vetë të vërtetën. Sot, Rusia ka mbytur demokracinë dhe ka kërkuar ta bëjë këtë edhe diku tjetër”, u shpreh ai.