Bota Përplasje mes vetë amerikanëve për “ndarjen e Kosovës”

Përplasje mes vetë amerikanëve për “ndarjen e Kosovës”

Një përplasjes mes vetë amerikanësh po ndodh së fundi mbi temën delikate të “ndarjes së Kosovës”, e përfolur prej më shumë se një vit dhe e provokuar sidomos nga teza e mbrojtur publikisht prej presidentit Thaçi, për “korrigjim territoresh”.

Ka qenë profesori universitar Edward Joseph, i cili në VOA deklaroi se në takimin mes Thaçit e Vuçiçit në Uashigtonit, me prani të të dërguarit Grenell, është diskutuar pikërisht ndarja në funksion të marrëveshjes së synuar mes Kosovës dhe Serbisë.

Grenell reagoi menjëherë duke e quajtur një fake news.

“Është një lajm i rremë. Asnjëherë nuk është diskutuar kjo në praninë time. Edward Joseph është treguar i pamatur”, shkroi Grenell, duke vijuar të thotë më tej se “Uashingtoni është përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe vendet e punës – ne besojmë se kjo nuk u injorua në dialog. Por ne nuk mund të ndihmojmë kur tarifat vazhdojnë të dëmtojnë Kosovën. Ata së pari duhet të shfuqizohen. Gjithashtu, çështjet politike do të zgjidhen nga dy palë, jo nga Uashingtoni”, shkroi ai.

Edhe Thaçi nuk qëndroi pa bërë një replikë me profesorin amerikan.

“Është zhgënjyese të shohësh se si disa analistë me lehtësi krijojnë planet e tyre të trillimeve (shkëmbim territoresh, ndarje, autonomi) dhe jua  atribuojnë atyre që janë duke u përpjekur të bëjnë një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë. Përhapja e lajmeve të rreme nuk mund ta ndihmojë këtë proces”, shkroi Thaçi.

Por Edward Joseph nuk tërhiqet nga e tija.

“Qëllimi i vërtetë i Grenellit, Vuçicit dhe Thaçit ishte të arrihet marrëveshja. Dhe unë besoj se bëhet fjalë për të njëjtën marrëveshje apo të ngjashme për të cilën ishin dakorduar gjatë mandatit të Mogherinit. Dhe kjo nënkupton ndarjen e Kosovës, që dikur quhej shkëmbimi i territoreve, por në thelb bëhet fjalë për ndarje sepse nuk e dimë se sa territor të Serbisë do të përfitonte Kosova. Sipas të gjitha gjasave diçka minimale”, ka thënë Joseph.