Sport Koronavirusi godet Formula 1, Çmimi i Madh i Bahreinit pa spektatorë

Koronavirusi godet Formula 1, Çmimi i Madh i Bahreinit pa spektatorë

Çmimi i Madh i Bahreinit do të zhvillohet pa spektatorë. Kështu kanë vendosur organizatorët e garës, për të frenuar përhapjen e koronavirusit në vend.

“Duke parë përhapjen e vazhdueshme të Covid-19 në të gjithë botën, lejimi i mijëra tifozëve nga e gjithë bota të bashkohen në një vend të caktuar nuk do të ishte gjëja e duhur për t’u bërë në këtë moment”, thuhet në një deklaratë botuar në faqen zyrtare në internet.

Fundjava e garës së Bahreinit është llogaritur të mbahet në 20-22 mars. Ajo është e dyta në radhë për sezonin e ri të Formula, pas Australisë. Deri tani autoritetet atje nuk kanë marrë asnjë vendim për kufizime rreth garës.

Në Bahrein janë konfirmuar 83 raste personash të infektuar me koronavirus. Të dielën, Ministria e Shëndetësisë u bëri thirrje njerëzve që mbërrijnë në vend nga Italia, Koreja e Jugut, Egjipti dhe Libani që të vetëizolohen për 14 ditë.